Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj Edi Ramës dhe Erion Veliajt, duke thënë se çfarë po ndodh me drejtimin e Bashkisë së Tiranës është një skenar që as Pablo Escobari s’do ta kishte imagjinuar.
“Në puntatën e fundit të ‘Narcos Albania’, kryebashkiaku i arrestuar firmos urdhra nga qelia në Durrës, ndërsa Rama shpërndan firmat sikur të ishin peshk i pjekur në darkë qeveritare. Një herë Sara Goxhaj, një herë Anduela Ristani. Në vend të ‘susam hapu’, kemi ‘Rama firmosu’,” ironizoi Berisha.
Ai shtoi se këto veprime janë antikushtetuese dhe të bëra në mënyrë mafioze: “Kushtetuta thotë se drejtimin e bashkisë e vendos Këshilli Bashkiak, jo shefi i serialit. Edi Rama nuk është drejtor i personazheve, por kryeministër – të paktën në letër.”
Berisha iu referua edhe deklaratave të një dite më parë të Anuela Ristanit që tha se nuk është njeri i besuar i Edi Ramës: “Nëse nuk je njeri i Ramës, pse pranon një emërim të paligjshëm nga ai? Apo të tha që është thjesht një ‘favor i vogël për një shoqe të vjetër’?”
Një ditë më parë Veliaj bëri një përpjekje të fundit për të ruajtur pushtetin në Bashkinë e Tiranës, kur shkarkoi Anuela Ristanin, emëroi Sara Goxhajn dhe urdhëroi policinë bashkiake të mos lejonte në bashki Jonida Halilin. Por në mbrëmje ai tha se kishte pasur një ide të gabuar dhe u tërhoq.
Për pasojë, sot Anuela Ristani ka shkarkuar Sara Goxhajn nga posti i nënkryetares dhe Alban Dokushin, nga posti i sekretarit të përgjithshëm në Bashkinë e Tiranës.