Natën ndërmjet të dielës dhe të hënës, në Seregno, një komunë në provincën e Monzas dhe Brianzas, policia italiane kreu një sekuestrim të madh drοge në shtëpinë e një 31-vjeçari me origjinë shqiptare. Mediat e vendit fqinj kanë zbuluar detaje të reja.
Në shtëpinë e tij u gjetën 93 kilogramë kokainë, një nga sasitë më të mëdha të kapura në këtë mënyrë dhe që në treg do të kishte vlerën 4 milionë eurove. I riu, emri i të cilit nuk jepet, u vu në pranga dhe mediat thonë se nuk ka precedentë të mëparshëm penalë.
Megjithatë mediat italiane thonë se ai është një emër i njohur për policinë, sepse është i lidhur familjarisht me njerëz të përfshirë në hetime të tjera për trafikun e drogës në të kaluarën. Hetuesit po shohin me detaje të gjitha lidhjet e të riut për të kuptuar rolin që ai kishte në rrjetin e trafikut.
Ky nuk është operacioni i parë antidrogë që zhvillohet në Lombardi gjatë muajve të fundit. Pak kohë më parë në këtë zonë u çmontua një rrjet i gjerë i trafikut të kokainës që menaxhohej nga eksponentë të krimit të organizuar shqiptar, të cilët vepronin në Livigno, në provincën e Sondrio. Operacioni çoi në ndalimin e 7 personave, ndërsa 5 të tjerë u lanë në arrest shtëpiak. ©LAPSI.al