Flash

Kush është Ayyoub Bouaddi, 18-vjeçari i Marokut që studion matematikë e që tërboi Brazilin

Numrat nuk tregojnë gjithçka, por ata të Ayyoub Bouaddi, futbollistit të Marokut që i hapi shumë punë Brazilit në Botëror, shpjegojnë mirë pse Seleçao vuajti përballë afrikanëve.

Lapsi.al 14 June 2026

Numrat nuk tregojnë gjithçka, por ata të Ayyoub Bouaddi, futbollistit të Marokut që i hapi shumë punë Brazilit në Botëror, shpjegojnë mirë pse Seleçao vuajti përballë kundërshtarëve të rinj, të talentuar dhe të organizuar mirë në fushë. Dhe ai, që studion matematikë, di si t’i bëjë numrat të përputhen, duke zgjidhur teoremat më të ndërlikuara. Mesfushori 18-vjeçar i Lille ka edhe pasaportë franceze (ka lindur në Senlis, në rajonin e Oise), ka luajtur me ekipet e moshave të Francës, por zgjedhjen e tij e ka bërë prej kohësh (të veshë fanellën e Luanëve të Atlasit) dhe u prezantua para atyre që nuk e njihnin me këtë kartëvizitë: 91% saktësi në pasime (60 nga 66 të sakta); 100% saktësi në pasimet në të tretën e fundit të fushës (16 nga 16); 6 rikuperime topi; 5 ndërhyrje; 9 duele të fituara. Dhe nëse ende nuk mjafton, është edhe ky fakt: me 87 prekje topi dhe 60 pasime të sakta, asnjë lojtar i kombëtares së tij nuk pati ndikim më të madh në paraqitjen e përgjithshme të skuadrës.

Çfarë tjetër? Në moshën 18 vjeç e 254 ditë, ai u bë lojtari i dytë më i ri (sipas Opta) që ka kompletuar më shumë se 50 pasime në një ndeshje Botërori gjatë 60 viteve të fundit, pas spanjollit Gavi kundër Kosta Rikës në vitin 2022 (67 pasime, në moshën 18 vjeç e 110 ditë).

Bouaddi, 16-vjeç debutoi në Kupat Europiane

Rrugëtimi i Ayyoub Bouaddi e bën atë një të predestinuar. Në moshën 16 vjeç e 3 ditë, trajneri i atëhershëm i Lille, Paulo Fonseca, e aktivizon titullar në ndeshjen e Conference League (0-0) kundër KÍ Klaksvík. Një vit më vonë (2024) debuton në Champions League kundër Sporting Lisbonës, por me Real Madridin përjeton pagëzimin e zjarrit: luan 90 minuta dhe lë përshtypje të mëdha (edhe) te madrilenët që dalin të mundur (1-0). Në atë edicion të turneut, cilësitë e tij i provuan edhe Juventusi dhe Bologna, ndërsa vitin e kaluar (por në Europa League) edhe Roma e preku nga afër talentin e mesfushorit me këmbë të mirë, strukturë fizike (është 185 cm i gjatë) dhe vizion loje. Të gjithëve u lë të njëjtën përshtypje: të kenë përballë një futbollist me “mendjen e një veterani”, pavarësisht moshës së re.

Cila është vlera e tij në treg: rritje eksponenciale

Personaliteti me të cilin menaxhoi veten dhe topin në një kontekst aspak të lehtë për një djalosh me të ardhme të ndritur përfaqëson një shtysë të madhe për vlerën e tregut të Bouaddi. Por ndoshta, për atë që ka treguar, është reduktuese ta quash thjesht një talent. Sipas Transfermarkt, lojtari kushtonte (ose më mirë, kushtonte…) 50 milionë euro: kushdo që dëshiron ta transferojë, edhe duke pasur parasysh kontratën që e lidh me LOSC deri në vitin 2029, tani duhet të përgatitet për një shpenzim shumë më të madh. Të paktën 80 milionë euro, bën të ditur klubi, i cili nuk ulet në tavolinë për shifra më të ulëta.

Karakteristikat e mesfushorit maroken

Bouaddi luan me këmbën e djathtë dhe mënyra se si e përdor atë dhe si e trajton topin (siç thuhet në zhargon) ishte njëkohësisht problem dhe mrekulli për Davide Ancelottin, i cili për momentin është me Brazilin si pjesë e stafit të babait të tij Carlo, por pas Botërorit do të marrë drejtimin e Lille. Aty do të punojë drejtpërdrejt me djaloshin që vuri në vështirësi verdheblutë, të cilët u dukën të ngadaltë dhe të paaftë për të mbajtur ritmin (edhe) me marokenin. Ai nuk e humbi kurrë topin kot dhe nuk rrezikoi me veprime të panevojshme. Nuk kërkoi lëvizje spektakolare, por zgjodhi gjithmonë zgjidhjen më të mirë për skuadrën sipas situatës. U tregua mjaftueshëm i qetë dhe mjaftueshëm i zgjuar për t’ia dalë në momentet më të vështira, kur Brazili u përpoq të rrite presionin dhe ritmin e lojës.

Ayyoub ishte aty, duke llogaritur paraprakisht veprimin e duhur, duke i shndërruar amerikanolatinët në terma algjebrikë: rezultati u pa në veprimet e lexuara paraprakisht, në pozicionimin kurrë të improvizuar dhe në autoritetin me të cilin qëndroi në fushë.

 

Të këshilluara

ide

Përçmimi si model qeverisje 

I mësuar me, dhe i rrethuar nga, servilë Rama ka humbur aftësinë të përballet me qytetarët e lirë

09:35 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

23°c

KËMBIMI EURO

94.96

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI