Flash

Gërvalla: Shqyrtimi ndodh vetëm nëse Serbia zbaton marrëveshjen bazike

Lapsi.al 8 June 2024
Gërvalla: Shqyrtimi ndodh vetëm nëse Serbia zbaton

Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se Kosova do të mund ta shqyrtojë draft-statutin e propozuar nga Perëndimi për krijimin të Asociacionit të komunave me shumicë serbe vetëm nëse ai dokument është pjesë e Marrëveshjes bazike për normalizim marrëdhëniesh, të arritur mes Kosovës dhe Serbisë, një vit më parë, dhe nëse atë e respekton Beogradi.

“Ka një logjikë pse duhet të jetë pjesë e pakos, sepse pakoja parasheh njohjen de facto nga ana e Serbisë. Një dokument i tillë nuk është i shëndoshë për vendin tonë në momentin që nuk e kemi as njohjen de facto, e lëre më njohjen de juro nga ana e Serbisë”.

Ajo i ka bërë këto deklarata në një intervistë për agjencinë e lajmeve, KosovaPress.

Sipas Gërvallës, aktualisht Qeveria e Kosovës nuk mund të procedojë me draftin për Asociacionin, pasi, sipas saj, draftet nuk dërgohen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.

“Draftet duhet të kalojnë nëpër disa etapa para se të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese. Dhe ky draft, kështu siç është, i shkëputur nga pakoja që kemi në Bruksel, nuk mund të procedohet më tej nga Qeveria në asnjë hap”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka thënë se ky draft është pjesë e Marrëveshjes bazike, të cilin Kosova se ka në plan ta shkëpusë.

“Çfarë kemi thënë ne, ju kemi propozuar partnerëve tanë që nëse ata konsiderojnë që me Serbinë nuk mund të arrijmë sukses në formë bilaterale, atëherë ne si Qeveri e përgjegjshme kemi treguar gatishmërinë tonë që të ulemi edhe me përfaqësues të serbëve në Kosovë, edhe të hartojmë një dokument, që respekton rendin tonë kushtetues, ligjet tona, por edhe plotëson disa kërkesa të komunitetit serb në Kosovë. Për këtë propozim ende nuk kemi hasur në gatishmërinë e partnerëve tanë”.

Faktori ndërkombëtar insiston që Kosova duhet të formojë sa më shpejt Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Mosbërja e hapave në këtë drejtim e ka penalizuar Kosovën me mosantarësim në Këshillin e Evropës – organizatën lidere për të drejta të njeriut – më herët gjatë këtij viti.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.

Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.

Serbia kërkon që Kosova të zbatojë marrëveshjet e arritura, por Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.

Vitin e kaluar, zyrtarë evropianë, e kanë përpiluar një draft-statut për Asociacionin, i cili është pranuar në parim.

Por, më vonë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka cilësuar këtë dokument si “non-paper”.

Në gjuhën e institucioneve evropiane, non-paper është një dokument joformal, i cili ekspozohet në negociata të mbyllura brenda institucioneve të BE-së, në përpjekje për të gjetur marrëveshje për ndonjë çështje të kontestuar.

Kurti ka thënë më herët gjatë javës në një intervistë për A2CNN se emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, mund ta dërgojë draftin për Asociacionin në Komisionin e Venedikut.

Bashkimi Evropian ka reaguar ndaj kësaj deklarate, duke thënë se marrëveshja e Brukselit për Asociacionin nuk parasheh diçka të tillë.

Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe angazhohet vazhdimisht në fushata lobuese kundër Kosovës.

Dy vendet dialogojnë në Bruksel, për normalizim të marrëdhënieve, qysh prej vitit 2011.

Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

Bashkimi Evropian ka përsëritur disa herë se zgjidhja e të gjitha problemeve mes dy vendeve, është faktor tejet i rëndësishëm për rrugën e tyre evropiane.

Përgjatë intervistës për KosovaPress, ministrja Gërvalla ka folur edhe për marrëdhëniet e saj me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Diskutimet në këtë drejtim janë rritur secilën herë e më shumë, pasi Presidenca e Kosovës ka thënë se Qeveria nuk është konsultuar me të, lidhur me hapat që ka bërë Kosova për anëtarësim në Këshill të Evropës.

“Ne, me presidenten e Republikës, raportet gjithmonë i kemi pasur të mira dhe nuk kam asnjë arsye të mendoj që ka një ndryshim në raportet tona. Unë jam e mendimit që nuk kemi nevojë gjithnjë të pajtohemi 100 për qind për të gjitha temat. Natyrisht që si persona që bartim përgjegjësi të shumta, në sfera të ndryshme, nganjëherë për procese të ndryshme kemi edhe mendime të ndryshme”.

Sipas saj, edhe kur ekzistojnë dallimet mes zyrtarëve të lartë shtetërorë, ata gjejnë “një rrugëdalje dhe gjuhë të përbashkët”.

Kurti ka thënë ditë më parë se nuk beson që ekzistojnë dallime të patejkalueshme mes tij dhe krerëve tjerë shtetërorë, përfshirë presidenten Osmani.

Vetë Osmani ka thënë se dallimet janë te tejkalueshme kur interesi shtetëror dhe qytetar vendoset mbi të gjitha./ REL

Të këshilluara

ide

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

13°c

KËMBIMI EURO

91.97

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Pse nuk bind alibia e kryeministrit "leshko", që nuk e dinte për Vlora Hysenin dhe Ergys Agasin

Nëse Edi Rama nuk dinte asgjë për pushtetin e Ergys Agasit dhe marrëdhënien e tij me Vlora Hysenin, atëherë mbetet për t’u shpjeguar se si një biznesmen pa asnjë funksion shtetëror kontrollonte tenderat e AKSHI-t, urdhëronte shefat e policisë, merrte informacione nga drejtuesja e SHISH dhe sillej me ministra e ish-ministra socialistë sikur të ishin vartësit e tij.

17:36

WSJ: Si e ndihmoi ambasadorja amerikane kompaninë greke të siguronte marrëveshjen 6 miliardë $ në Shqipëri

Një investigim i Wall Street Journal hedh dritë mbi rolin e ambasadores amerikane Kimberly Guilfoyle në promovimin e kompanisë greke "Aktor". Në mars, ajo takoi Kryeministrin Rama në Tiranë, e shoqëruar nga drejtori i kompanisë dhe lobisti i saj. Një muaj më vonë, u kthye për nënshkrimin e marrëveshjes 6 miliardë dollarëshe për furnizimin e Shqipërisë me gaz amerikan.

12:38

Një histori korruptimi jo dashurimi

Fakti që zyrtare të larta të shtetit tonë adhurojnë uritha të tillë si Agasi është dëshmi e korruptimit dhe jo e sensibilitetit romantik. Nivelet e larta të shtetit duhet të shërbejnë si busulla morale dhe parimore për qytetarin e thjeshtë, dhe jo të degradojnë nën nivelin moral të popullatës.  Pikërisht kjo është ajo që na trondit në rastin e zonjës Hyseni. Busulla e saj morale dhe parimore ishte nën nivelin e qytetar

11:09 Blendi Kajsiu

Me sytë katër

PAPARAZZI