Mbërrin fitorja e parë edhe në kampionat. Por që Teuta e Shkëmbi të triumfojnë duhen kaluar 'mornicat' e disavantazhit dhe përmbysja e minutave shtesë. Durrsakët festojnë 1-2 në Rrogozhinë në të 97 me golat e mbrojtësve. Fillimisht perla e Kotobellit dhe pastaj Jazxhi, anuluan golin e Delarzh.
Një fitore e rëndësishme, e para në Superiore për këtë sezon e Shkëmbit e të tijve, që mbyllin kështu japën e parë pozitive futbollistike. Pasi e provuan në Kupë me Luzin, Teuta përsëritet pas tre ditësh edhe në fushën e Egnatias. Rrrogozhinasit gati menduan se mund të dilnin me fitore në javën e 8 të Superiores, por në fakt duhet të ndërpresin këtu serinë prej pesë rezultatesh pozitive radhazi, dy fitore e tre barazime.
Gjithçka ndodhi në pjesën e dytë, kur Delarzh zhbllokoi ndeshjen në minutën e 64’. Teuta, që në pjesën e parë pati rastet më të mira me L. Vilën e Jazxhi që goditi shtyllën, u ngri në këmbë me një golt spektakolar të Kotobellit. Mbrojtësi në minutën e 79’ barazoi rezultatin, por më e mira duhet ende të vinte. Jazxhi në sekondat e fundit të ndeshjes (97'), përmbysi rezultatin. Kjo ishte fitorja e parë e Teutës për këtë sezon, duke u ngjitur momentalisht në vendin e 9 me 7 pikë, ndërsa Egnatia vazhdon në vendin e 6 me 9 pikë.
Një ndeshje tepër e ndjerë e madje nostalgjike për teknikun e Egnatias, që nuk shkoi si duhej. Edlir Tetova, përballë ish-skuadrës së tij e për më tepër edhe ish-shokut të skuadrës Shkëmbi me të cilin u shpallën kampionë pikërisht me Teutën në sezonin 2006-07, nuk i ndryshoi dot precedentët. Rrogozhinasit janë mundur nga Teuta 8 herë në 9 përballje.