Kryetari i rizgjedhur i Partisë Demokratike Lulzim Basha thotë se zgjedhjet për kreun e kësaj force që u mbajtën të dielnë nuk përcaktuan vetëm personin që do të udhëheqë, por edhe aksionin politik të së ardhmes. Sipas Bashës demokratët tashmë kanë mbështetur qëndrimin se zgjedhjet e 25 prillit ishin një masakër elektorale.
“Vullneti që shprehët në këto ditë të vështira për vendin, do të shërbejë si udhërrëfyes në rrugëtimin tonë në shërbim të vendit. Sepse me këtë votë të qartë ju refuzuat të njihni masakrën zgjedhore të 25 prillit! Me këtë votë të qartë ju refuzuat bashkëpunimin me regjimin Rama-Doshi!
Me këtë votë të qartë ju vendosët se bashkë, të gjithë bashkë, do të luftojmë me gjithë forcën tonë për ndryshimin që u pengua në 25 prill. Me këtë votë të qartë ju vendosët se do të luftojmë për të përmbushur atë që është qëllimi për të cilin jemi krijuar dhe rrojmë si parti, një Shqipëri demokratike” – tha Basha.
“Me këtë votë të qartë treguat se mbani brenda vetes besimin se ne mund ta ndryshojmë këtë vend, jo me mjetet e të keqes, as me forcën e verbër të pushtetit të bërë njësh me krimin dhe oligarkinë, por forcën e vlerave, me besimin e njerëzve të lirë që pa asnjë pushtet japin gjithçka që vendi të ndryshoj për mirë. Sot jemi të gjithë të vetëdijshëm se kjo që kemi zgjedhur është rruga e drejtë por po kështu edhe rruga më e vështirë” – tha Basha.
“Unë e lexoj qartë vullnetin tuaj, e dëgjoj me vëmendje zërin tuaj, i njoh zemrat tuaja ndaj e di që sot, në këtë ditë të rëndësishme të historisë sonë, nuk prisni gjë tjetër prej meje veçse t’ju them atë për të cilën erdha të kërkoj mbështetjen tuaj gjatë kësaj garë: Është koha për ne të hidhemi edhe njëherë në betejë” – tha Basha.
“Ne do të luftojmë çdo ditë, për çdo shqiptar, kundër çdo padrejtësie, me çdo mjet, në çdo forum, të brendshëm dhe të jashtëm, do marrim mbi supe çdo përgjegjësi që në sa më pak kohë t’i kthejmë vendit legjitimitetin dhe demokracinë. Bashkë, të gjithë bashkë, të sjellim një të ardhme më të mirë për fëmijët shqiptarë, për shqiptarët dhe Shqipërinë” – tha ndër të tjera Basha. ©LAPSI.al