Presidenti Ilir Meta ka reaguar për vrasjen e Klodian Rashës, i qëlluar për vdekje nga efektivi i policisë. Kreu i shtetit i ka shprehur ngushëllimet familjes Rasha për humbjen e njeriut tyre të dashur. Presidenti Meta shkruan mes të tjerash se Policia e Shtetit ka mision të ruajë rendin e sigurinë publike, duke respektuar të drejtat dhe liritë e njeriut.
Më tej Meta thotë se: “Fatkeqësisht, të gjithë jemi bërë dëshmitarë, veçanërisht në dy vitet e fundit se, aktet e përdorimit të dhunës ekstreme dhe shproporcionale nga efektivë të caktuar të Policisë së Shtetit, kanë ardhur duke u përshkallëzuar”. Kreu i shtetit bën përgjegjës direkt funksionarët e lartë dhe e drejtuesit e Policisë së Shtetit, si edhe Ministrin e Brendshëm, që siç thotë ai nuk kanë mbajtur deri më sot qëndrime publike të qarta për zero tolerancë ndaj akteve të tilla.
Meta i benë thirrje Prokurorisë të hetojë intensivisht, të zbardhë të vërtetën dhe të vërë para përgjegjësisë menjëherë autorët e aktit kriminal, të kryer nga organi që ka pikërisht detyrën të mbrojë jetën e qytetarëve.