Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela dhe kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehu kanë nënshkruar ditën e sotme një marrëveshje bashkëpunimi mes dy institucioneve.
Dy institucionet përmes kësaj marrëveshjeje, angazhohen të intensifikojnë luftën kundër veprave penale të kryera nga punonjësit e administratës publike në Shqipëri.
“KLSH dhe Prokuroria e Përgjithshme angazhohen të rrisin bashkëpunimin për shkëmbimin e informacioneve me qëllim evidentimin e saktë të shkeljeve, që përbëjnë vepër penale në fushën e administrimit të fondeve publike, administrimit të pronës publike dhe privatizimit të saj”.
Sipas Shehut dhe Çelës niveli i lartë i shpërdorimeve të fondeve publike është kthyer në një shqetësim serioz për vendin dhe opinionin publik shqiptar.
Dy drejtuesit shprehën vullnetin për bashkëpunim. Prokuroria e Përgjithshme me përgatitjen e një metodike të posaçme hetimi lidhur me hetimin e veprave penale të kryera nga punonjësit e administratës publike.
Ndërsa KLSH angazhohet të kryejë një proces të thelluar auditues dhe të referimit në prokurori të veprave penale.