Në ditën kur Këshilli i Lartë i Prokurorisë njoftoi ngritjen e SPAK-ut, Kryeministri Edi Rama prezantoi një ligj të ri që ai e quan ligji “anti-KÇK”. Sipas Ramës me anë të këtij ligji do të luftohet korrupsioni sidomos në prokurori dhe gjykata. Partia Demokratike, reagoi duke dhënë se Rama po kërkon të minojë SPAK-un dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
Sipas PD-së, krijimi i Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e njohur gjerësisht si SPAK, është mekanizmi i duhur kushtetues për të përmbushur një nga kërkesat kyçe të shqiptarëve dhe të partnerëve të huaj për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së të fortëve, promovuesve të tyre në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar.
Numri II i PD, Gazment Bardhi u shpreh se “në ditën e ngritjes së tij, SPAK ka përballë të njëjtin kundërshtar që e pengoi për 3 vjet me rradhë. Me një shfaqje qesharake propagandistike, Edi Rama, njoftoi dublimin me ligj të SPAK-ut dhe BKH-së, duke i dhënë policisë kompetenca që Gjykata Kushtetuese ia rrëzoi 4 vjet më pare”.
“Rikthimi i modelit të shtetit policor, i rrëzuar më parë si antikushtetues, është tentativë e qartë për të penguar dhe ndërhyrë në punën e SPAK dhe BKH, në ditën e ngritjes së tyre, për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin mes zyrtarëve të lartë dhe politikanëve.
Ligji është një mashtrim që synon të nënshtrojë drejtësinë dhe të pengojë veprimin e saj kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke krijuar zyrtarisht shtetin policor. Edi Rama e di mirë se SPAK-u dhe BKH-ja e pavarur është rrezik për të dhe bandën e tij!”, deklaroi Bardhi.