Ministri i Jashtëm i Holandës, Stef Blok, ka folur sërish në lidhje me moshapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian të dy vendeve kandidate të Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se Maqedonia e Veriut qendronte në pararojë ndaj Shqipërisë.
Në një intervistë për median serbe, "Danas", Blok shprehet se pavarësisht këtij konstatimi, progresi ishte i dukshëm tek të dy vendet. “Gjithashtu, unë mirëprita hapat pozitivë të Shqipërisë. Një rezultat i veçantë ishte procesi i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ka pasur reforma të rëndësishme ligjore dhe janë krijuar institucione të reja gjyqësore. Sidoqoftë, përpara fillimit të negociatave të pranimit, Shqipëria duhet të tregojë rezultate të qëndrueshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Këshilli Evropian do të kthehet në temë (negociatat e pranimit) përpara Samitit të Ballkanit Perëndimor në maj të vitit 2020. Si më parë, ne do të mbështesim Maqedoninë veriore dhe Shqipërinë në punën e tyre për të ardhmen në BE. Periudha e ardhshme mund të përdoret për të reformuar më tej sundimin e ligjit. Të dy qeveritë njoftuan se do të vazhdojnë me këto reforma. Ne jemi të gatshëm t’i ndihmojmë ata."- ka thënë Blok për "Danas".
Qasje kundërshtuese e Holandës ndaj nisjes së bisedimeve me Shqipërinë u ripohua kur Bundestagu gjerman vendosi për dhënien e pëlqimit për hapjen e kushtëzuar të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në familjen evropiane. Blok konfirmoi se qendrimi i vendit të tij ndaj Shqipërisë do të jetë i ngjashëm me atë të mbajtur përpara verës, kur u theksua se nuk do të çelen negociatat pa u plotësuar kushtet e qershorit të 2018.
Ndërkohë, akoma më herët, parlamenti holandez kaloi në qershor një mocion në të cilin një shumicë e konsiderueshme deputetësh u rreshtua kundër bisedimeve të pranimit me Shqipërinë. ©Lapsi.al