Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas komunikimit të vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për shkarkimin nga detyra të kryebashkiakut të Vorës, Agim Kajmaku.
Në një postim në llogarinë e tij zyrtare në "Twitter", Rama shkruan se me heqjen e mandatit të Kajmakut, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tregoi se mbron ligjin dhe jo interesat e partive. Sakaq, pikërisht në lidhje me zgjedhjet monopartiake vendore të 30 qershorit, në raportin e OSBE-ODIHR-it, parashtroheshin kritika të forta ndaj KQZ-së, që "e interpretoi ligjin në mënyrë të vazhdueshme dhe në një shtrirje të gjerë, duke ulur sigurinë juridike".
Ndërsa, sikurse është shprehur për "drujtë e shtrembër" në Partinë Socialiste, Rama përsërit se forca politike që drejton "nuk bëhet strehë e askujt që merr përsipër të shkelë besimin tonë".
Postimi i Ramës në Twitter:
KQZ ka provuar sot përsëri, se është një institucion i shtetit shqiptar që mbron ligjin dhe interesin publik, jo vegla e vjetër e partive siç ishte deri dje?Po ashtu Partia Socialiste ka riprovuar sot, se s’bëhet strehë e askujt që merr përsipër të shkelë ligjin e besimin tonë?
Më herët, i pyetur nga media për vendimin e KQZ-së, Rama tha se “institucionet janë institucione…”, pa komentuar më tej.
Vendimi për shkarkimin nga detyra të Kajmakut u mor në formë unanime, me 5 vota pro.
Mbledhja e KQZ-së erdhi disa ditë pasi Prokuroria konfirmoi akuzat e ngritura ndaj Kajmakut nga Partia Demokratike, e cila denoncoi se kandidati fitues i socialistëve në zgjedhjet e 30 qershorit, kishte llogari të hapura me drejtësinë greke. ©Lapsi.al