Pasi "jo"-së së prerë të Francës në lidhje me çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, kryeministri Edi Rama do të ndërmarrë lëvizjen e radhës: zhvillimin e një takimi me presidentin francez, Emanuel Macron.
Në deklaratën e tij për mediat pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste, Rama bëri me dije se në ditët në vijim do të ketë takime me Macron, por edhe me drejtues të tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar më shumë mbi refuzimin për nisjen e bisedimeve Bruksel-Tiranë.
“Kemi parë ecurinë e procesit dhe nga ana tjetër kemi parë mundësinë për përfshirjen e grave dhe vajzave si bashkëkryetare të organzitës socialiste. Kemi diskutuar dhe për temën e ditës, lidhur me mos marrjen e vendimtit të merituar për Shqipërinë dhe kemi rënë dakrod se kjo nuk ndryshon asgjë në trajektoren tonë për rrugën drejt Evropës. Në ditët në vijim do të kem takime me Macron dhe me drejtues të tjerë të vendeve anëtare për të kuptuar më shumë. Jemi të qartë që do vijojmë më tej punën dhe nesë do kishim marrë një “po”, detyrat janë po ato që kemi pasur dhe në fillim. Në Kuvend duhet të miratojmë rekomandimet e OSBE”, tha kreu i qeverisë.
Më 18 tetor, kreu i Këshillit, Donald Tusk konfirmoi se pas diskutimeve të gjata nuk u arrit dakordësia për dhënien e dritës jeshile për avancimin e rrugëtimit evropian të dy vendeve kandidate nga Ballkani Perëndimor, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Menjëherë pas vendimit, presidenti i Republikës, Ilir Meta, u shpreh se asgjë s’ka përfunduar dhe nuk duhet humbur shpresa. Ndërsa, komisioneri për zgjerimin, Johannes Hahn deklaroi se vendimi ishte zhgënjyes, pasi BE-ja nuk mbajti premtimin.
Ndërkaq, Rama fajësoi për këtë vendim problemet e brendshme të BE-së, ndërsa shtoi se shpreson për një “Po” pranverën që vjen. ©Lapsi.al