Janë zbardhur diskutimet që janë zhvilluar ditën e djeshme në mbledhjen e degës së Partisë Socialiste në Shkodër.
Burime jozyrtare bëjnë të ditur se ish-zv.kryeministrja, Senida Mesi, deputete socialiste në Shkodër, ka deklaruar se me urdhër të shefit të qeverisë, Edi Rama, duhet të përzgjidhet në cilësinë e kreut të ri të Këshillit Bashkiak, Briseida Kadia.
“Kush nuk voton Briseidën do te përjashtohet nga PS”, citohet të ketë thënë Mesi, duke përcjellë urdhërin e Ramës. Kadia është një kandidaturë që mbështetet nga deputeti Tom Doshi.
Ndërkaq, po zhvillohet mbledhja me procedurat përkatëse për konstituimin e Këshillit Bashkiak, në ambientet e Bibliotekës së Universitetit “Luigj Gurakuqi”.
Paralelisht, jashtë ambienteve të Biblotekës, protesta e organizuar nga Partia Demokratike është përshkallëzuar në përplasje mes tubuesve dhe forcave policore.