Një ditë më parë presidenca dha sqarimin e procedurës së marrjes së shtetësisë shqiptare nga ana e biznesmenëve indianë, ndërsa Ministria e Mjedisit deri më tani ka qëndruar në heshtje, duke mos patur asnjë reagim zyrtar.
Shtetasit indianë, të cilët janë pajisur tashmë me pasaportë shqiptare, në vendin e tyre akuzohen për vjedhje e për pastrimin e 725 milionë dollarëve.
59-vjeçari Hitesh Patel u arrestua dy ditë më parë nga Interpol Tirana, ndërsa tentonte të largohej nga Shqipëria.
Në sqarimin e Presidencës, lidhur me procedurën e pajisjes me pasaportë shqiptare të tyre, thuhej se ishte ndjekur procedura ligjore, bazuar në pikën 7, të nenit 9 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare” të ndryshuar.
“Janë zbatuar procedurat ligjore bazuar në pikën 7, të nenit 9 të ligjit nr. 8389, datë 05.08.1998 “Për shtetësinë shqiptare” të ndryshuar, me propozimin e Ministrisë së Turizimit dhe Mjedisit, “për shkak të eksperiencës në investime dhe historikut të sipërmarrjeve të suksesshme jashtë Republikës së Shqipërisë dhe për shkak të angazhimit të tyre për realizimin e investimeve të rëndësishme elitare në vendin tonë”. Bazuar në pikën 6, të nenit 9 të ligjit për shtetësinë, janë bërë verifikimet përkatëse nga agjencia ligjzbatuese nga e cila nuk kanë rezultuar të dhëna problematike për dhënien e shtetësisë shqiptare.” – thuhej në sqarimin e Presidencës.
Ndërkaq Ministria e Mjedisit, nuk e ka ende një sqarim për kërkesën drejtuar Presidencës, për të treguar ku e ka bazuar kërkesën e saj lidhur me eksperiencën në investime dhe historikun e sipërmarrjeve të suksesshme jashtë Republikës së Shqipërisë të dy biznesmenëve indianë, si dhe për angazhimin e tyre në realizimin e investimeve të rëndësishme elitare në vendin tonë.