Aleanca e Konservatorëve dhe Reformistëve në Europë (ACRE), e cila është dhe grupi i tretë më i madh në Parlamentin Europian, ka treguar se mbështet kërkesat e opozitës në Shqipëri.
Sipas kësaj aleance, një qeveri e re mund të garantojë fundin e ngërçit politik dhe të rifitojë besimin e qytetarëve shqiptarë.
“Në dritën e instabilitetit politik në rritje krizës qeveritare dhe listës së gjatë të skandaleve që janë bërë publik së fundmi, ACRE beson se vetëm një qeveri e re, e krijuar mbi një platformë të berë politike, mund të garantojë fundin e këtij ngërçi politik dhe të rifitojë besimin e qytetarëve shqiptarë në proceset demokratike integruese europiane dhe sundimin e ligjit në vend”- thuhet në deklaratën e ACRE, ku bën pjesë edhe Partia Konservatore në pushtet e Britanisë së Madhe.
Aleanca e Konservatorëve dhe Reformistëve, një grupim i qendrës së djathtë shprehet se shqetësimi në rritje për zhvillimet e fundit në Shqipëri ka të bëjë me korrupsionin e qeverisë aktuale.