Ditën e sotme pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, janë shfaqur tre kandidatë nga radhët e LSI-së, për të dorëzuar kërkesën që i hap rrugë marrjes së mandatit të deputetit.
Burime pranë KQZ bëjnë me dije se aktualisht janë tre kandidatë nga listat e LSI-së që janë paraqitur në këtë institucion.
Ylli Shehu, ish-deputeti i LSI-së ka dorëzuar në KQZ formularin e dekriminalizimit, i cili për rrjedhojë i hap rrugë marrjes së mandatit të deputetit. Të njëjtën gjë ka bërë dhe kandidatja e LSI-së në Dibër, Aurora Mara, e cila gjithashtu ka dorëzuar formularin ditën e sotme.
Emri i tretë është, Enver Roshi, kandidat për deputet i LSI-së në Elbasan.
Ende nuk është mësuar numri i kandidatëve në lista që do të pranojnë mandatin e deputetit, duke zënë kështu vendet e lira në parlament, të lëna prej anëtarëve të partive të tyre.


