Flash

Lea Ypi shpërndan letrën e 11 organizatave drejtuar qeverisë shqiptare

Lapsi.al 4 July 2026

11 organizata dhe shoqata shqiptare me bazë në Mbretërinë e Bashkuar i kanë drejtuar një letër të hapur Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë, ku shprehin mbështetje për protestat qytetare që kanë vijuar prej më shumë se një muaji dhe dënojnë dhunën policore ndaj protestuesve paqësorë.

Nismës i është bashkuar edhe shkrimtarja Lea Ypi, e cila e ka publikuar letrën në rrjetet sociale. Në reagimin e tyre, organizatat theksojnë se protestat paqësore përfaqësojnë një shoqëri civile gjithnjë e më të ndërgjegjshme dhe të organizuar, duke i cilësuar ato si një shprehje të demokracisë në veprim dhe të së drejtës kushtetuese të qytetarëve për të kërkuar llogari nga institucionet.

“Në protesta marrin pjesë të rinj, prindër, profesionistë dhe studiues, të cilët kanë dalë për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, hapësirat publike dhe të drejtën për t’u dëgjuar nga institucionet shtetërore. Për këtë arsye dënojmë me forcë çdo formë dhune, frikësimi apo represioni ndaj protestuesve paqësorë”, thuhet në letër.

Në dokument renditen katër kërkesa kryesore drejtuar qeverisë shqiptare:

  1. Transparencë të plotë për ligjet, vendimet dhe kontratat që lidhen me mbrojtjen e mjedisit dhe pasurive natyrore.
  2. Llogaridhënie për shitjen ose dhënien me koncesion të pasurive shtetërore, me konsultim publik dhe mbikëqyrje parlamentare.
  3. Mbrojtjen e interesit publik si parim themelor në politikat e zhvillimit ekonomik.
  4. Nisjen e një dialogu të vërtetë dhe konstruktiv me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe protestuesit.

Letra është firmosur nga UKAP Foundation, Kosovar Albanian Youth Against Violence, British Albanian Culture & Arts Association, Edinburgh University Albanian Society, Albanian Book Lovers Culture Club, Cambridge Uni Albanian Society, LSE Albanian Society, Diasporas Speaking, UCL Albanian Society, Successful Mothers dhe Gjurmë Iliriane.

LETRA E PLOTE:

Të nderuar përfaqësues të Qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë,

Ne, shoqatat dhe bashkësitë shqiptare të themeluara dhe me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, shprehim mbështetje për protestat qytetare në Shqipëri dhe dënojmë dhunën policore ndaj protestuesve paqësorë.

Protestat e përditshme paqësore po shpalosin thelbin e një shoqërie civile gjithnjë e më të ndërgjegjshme dhe të organizuar. Mijëra qytetarë shqiptarë, ndër ta të rinj, prindër, profesionistë dhe studiues, kanë dalë në rrugë për të mbrojtur pasuritë natyrore të vendit, hapësirat publike dhe të drejtën për t’u dëgjuar nga institucionet e shtetit.

Këto protesta janë shprehja më e pastër e demokracisë në veprim, e drejta kushtetuese dhe demokratike e çdo qytetari për të shprehur mendimin dhe për t’i kërkuar llogari institucioneve shtetërore.

Është pikërisht për këtë arsye që dënojmë me forcë çdo formë të dhunës, frikësimit apo represionit ndaj protestuesve paqësorë.

I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të marrë parasysh kërkesat thelbësore të lëvizjeve protestuese, të cilat kanë të bëjnë me:

Transparencën e plotë në lidhje me ligjet, vendimet dhe kontratat që prekin mbrojtjen e mjedisit dhe të natyrës, duke përfshirë projektet që ndikojnë në zonat e mbrojtura, lagunat bregdetare dhe ekosistemet ujore të vendit;

Llogaridhënien e institucioneve publike lidhur me shitjen ose dhënien me koncesion të pasurive shtetërore, duke garantuar se çdo vendim i tillë i nënshtrohet shqyrtimit publik, konsultimit paraprak dhe mbikëqyrjes parlamentare;

Mbrojtjen e interesit publik si kriter themelor dhe i panegociueshëm në çdo politikë zhvillimi ekonomik, duke refuzuar modele që i japin prioritet interesave private të ngushta ndaj të mirave kolektive të shoqërisë;

Dialogun e vërtetë dhe konstruktiv me përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe lëvizjeve protestuese.

Me respekt dhe me shpresë,

UKAP Foundation

Kosovar Albanian Youth Against Violence

British Albanian Culture & Arts Association

Edinburgh University Albanian Society

Albanian Book Lovers Culture Club

Cambridge Uni Albanian Society

LSE Albanian Society

Diasporas Speaking

UCL Albanian Society

Successful Mothers

Gjurmë Iliriane


Të këshilluara

ide

Plaku me bastun, si antimodeli ndaj një pushteti të shurdhët

Ndarja e re teritoriale përpos problemeve të diskutueshme me pakësimin e bashkive po vërteton se kjo qeverisje e degraduar nuk ka më as vullnet as nerva për të dëgjuar qytetarët. Prandaj rruga e vetme e komunikimit me të mbetet ajo e ngritjes së shkopit

16:34 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

22°c

KËMBIMI EURO

92.53

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI