Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka zhvilluar këtë të premte një takim me strukturat e LSI-së në njësinë nr.11 të Tiranës, disa orë përpara protestës së ditës së nesërme në bulevardin përballë kryeministrisë.
Kryemadhi u shpreh se Rama ka më shumë përzemër veprën artistike që është varur në hyrje të godinës së kryeministrisë sesa vetë shqiptarët. Kryetarja e LSI-së shtoi se nëse për Ramën Shqipëria është një kolibe qensh, është ndryshe ajo çka mendojnë shqiptarët për vendin e tyre i cili sipas saj ka rrëshkqitur plotësisht për faj të kryeministrit.
“E keni parë si e ka rrethuar veprën e tij artistike si të ishte në diskotekë? Sikur të kujdesej për shqiptarët aq sa është kujdesur për dekorin e kryeministrisë do të ishim shumë të lumtur. Më shumë i dhimbset neoni se sa shqiptarët, minatorët, të rinjtë... Ai njeri ka ikur që dje, por ikja e tij nuk mund të mbajë peng të ardhmen e shqiptarëve. Shqipëria është shtëpia e shqiptarëve. Për Ramën mund të jetë kolibe qensh, por ne këtu do të ndërtojmë të ardhmen tonë, vend më të bukur nuk ka”, u shpreh Kryemadhi.