Prokuroria e Durrësit thellon hetimet lidhur me rastin e 14-vjeçares në Kavajë, e cila u abuzua seksualisht nga shokët e shkollës.
“Hetimet ndaj shkollës janë duke u kryer me përparësi”, tha një burim i prokurorisë për ‘News24. Për skandalin e abuzimit të të miturës, janë në pranga 7 persona, ndërsa një tjetër është në kërkim.
Në vendimin e gjykatës së Durrësit thuhej se pasi u informua për ngjarjen, mësuesja e thirri nxënësen e mitur, duke i kërkuar t’i fliste për marrëdhënien me një nga djemtë e klasës. Në bisedë, vajza i ka rrëfyer asaj se ishte abuzuar seksualisht nga disa prej djemve të shkollës, të cilët e kërcënonin me publikimin e pamjeve filmike, në të cilat shfaqej duke kryer marrëdhënie me të dashurin e saj. Në këto kushte, mësuesja thirri nënën e vajzës dhe në prani të drejtoreshës e psikologes së shkollës, i ka treguar gjithçka kishte ndodhur. Institucioni u mjaftua me kaq. Heshti për ngjarjen, pasi nuk e denoncoi krimin tronditës në polici.