
Drejtësia turke ka nisur një hetim ndaj ekonomistit britanik Timothy Ash, i cili akuzohet për fyerje të Presidentit Recep Tayyip Erdogan pas disa deklaratave të bëra gjatë një aktiviteti në Bodrum.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, ngjarja lidhet me një video të filmuar gjatë aktivitetit, ku Ash po fliste për liderët botërorë dhe deklaroi se bota po përjeton një epokë udhëheqësish që mund të jenë “sociopat”. Në vijim, ai përmendi emrat e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidentit turk Recep Tayyip Erdogan.
Megjithatë, ekonomisti e kuptoi menjëherë gabimin dhe e ndërpreu deklaratën, duke thënë se nuk e kishte fjalën për Erdogan dhe se e tërhiqte atë që kishte thënë. Ash ka deklaruar se nuk është në dijeni të ndonjë njoftimi zyrtar për hetimin ndaj tij. Ai e cilësoi deklaratën si një gabim në të folur, të cilin e korrigjoi menjëherë. Ekonomisti, i cili është i specializuar në çështjet ekonomike dhe politike të Turqisë dhe udhëton rregullisht në vend, ka sqaruar gjithashtu se aktiviteti ku ndodhi incidenti zhvillohej nën rregullat e Chatham House, sipas të cilave deklaratat mund të përdoren, por pa identifikuar autorin.
Pas publikimit të videos, Ash u shpreh se nuk kishte pasur qëllim të ofendonte askënd. Ai gjithashtu theksoi se Erdogan dhe Turqia kanë mbështetur palestinezët dhe Gazën, duke mohuar çdo krahasim mes presidentit turk dhe Benjamin Netanyahut. Në Turqi, akuza për fyerje të presidentit është përdorur në mijëra raste gjatë viteve të fundit, duke përfshirë edhe raste ndaj gazetarëve, artistëve dhe politikanëve për deklarata apo postime në rrjetet sociale.