
Autoritetet ruse kanë lëshuar një urdhër-arrest ndaj një gazetari të së përditshmes gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), duke e akuzuar për nxitje të urrejtjes dhe armiqësisë.
Sipas agjencisë shtetërore ruse TASS, vendimi është marrë nga një gjykatë në Moskë. Korrespondenti i FAZ për Ballkanin ishte futur që javën e kaluar në listën e personave të kërkuar nga Ministria e Brendshme e Rusisë.
Emri i tij, të paktën fillimisht, nuk rezultonte në sistemin e Interpolit. Kjo ka ngritur pikëpyetje edhe mbi mundësinë e zbatimit të urdhrit jashtë Rusisë, veçanërisht në Serbi, një nga vendet ku gazetari ushtron aktivitetin e tij profesional dhe që historikisht ka pasur marrëdhënie të afërta me Moskën.
Çështja lidhet me një pyetje që gazetari i drejtoi presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky gjatë vizitës së këtij të fundit në Beograd, pak më shumë se dy javë më parë.
Në pyetjen e tij, gazetari kërkoi të dinte se çfarë mund të bënin konkretisht europianët për ta ndihmuar Ukrainën të vriste më shumë rusë, duke saktësuar më pas se i referohej ushtarëve rusë.
Deklarata shkaktoi reagimin e ashpër të Moskës. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, e konsideroi formulimin si një thirrje për vrasjen e rusëve dhe e cilësoi atë të papranueshëm dhe kriminal.
FAZ reagoi më pas duke pranuar se pyetja ishte formuluar në mënyrë të papërshtatshme dhe mund të krijonte një përshtypje të gabuar. Gazeta tha se e kishte sqaruar çështjen dhe shprehu keqardhje për mënyrën se si ishte formuluar pyetja.
Nëse procedohet sipas legjislacionit rus, gazetari mund të përballet me një dënim deri në gjashtë vjet burg.
Rusia vazhdon luftën kundër Ukrainës, të nisur në shkurt të vitit 2022. Që prej fillimit të konfliktit, Ukraina ka marrë ndihmë të konsiderueshme ushtarake dhe financiare nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore.