Flash

Mes protestave, qeveria forcon agjencinë e propagandës dhe centralizon komunikimin

Lapsi.al 15 September 2026

Nga Erisa Kryeziu-Citizens.al

Thirrja e Agjencisë për Media dhe Informim (MIA), e shpallur një muaj më parë për rekrutimin e stafit të ri, u mbyll me 245 aplikime.

‘Plot 245 aplikime nga ekselentë të sapodiplomuar, gazetarë, informaticienë, organizata mediatike, studio dizajni grafik, dhe të tjerë akoma’, shkroi Rama në rrjetin social Facebook, duke renditur mes ideve të propozuara për MIA-n thjeshtimin e gjuhës së shtetit, bërjen më të kuptueshme të informacionit për qytetarët, përdorimin më sistematik të videove dhe inteligjencës artificiale, si dhe formate më kreative për rrjetin MIA.

Më tej, ai ironizoi kritikët që e konsiderojnë MIA-n si institucion propagande.

‘Dhe këtu lind pyetja e madhe: Si ka mundësi gjithë kjo dëshirë për të punuar me ‘agjencinë e propagandës së regjimit’?’, vijoi kryeministri.

Sipas tij, ose ‘regjimi e ka harruar zanatin e terrorit, ose propaganda e tij ka dështuar, ose përralla e regjimit nuk bind më as ata që e tregojnë çdo ditë’.

Debati për rolin dhe forcimin e MIA-s vjen në një moment kur qeveria përballet prej muajsh me protesta që kanë ngritur, mes të tjerash, shqetësime reale për çështje të transparencës dhe llogaridhënies.

Prej 108 ditësh, në Shqipëri protestohet çdo ditë, pa ndërprerje, kundër qeverisë. Revolucioni Flamingo, i cili nisi si një kundërshtim ndaj projektit turistik në zonën e mbrojtur Pishë-Poro-Nartë, tashmë është shndërruar në një lëvizje më të gjerë që kërkon dorëheqjen e qeverisë Rama.

Kjo protestë nxori në pah edhe mungesën e transparencës së qeverisë në mënyrën se si administron pasuritë publike dhe natyrore.

Përtej numrit të aplikimeve, ekspertët e medias dhe komunikimit publik thonë se pyetja kryesore nuk është sa njerëz duan të punojnë në një institucion shtetëror, por se si përdoren kapacitetet e tij, çfarë komunikon qeveria dhe nëse komunikimi institucional po zëvendëson aksesin e drejtpërdrejtë në informacion dhe rolin e gazetarisë.

Bleriana Bino, drejtuese e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV), e sheh forcimin e MIA-s si një zgjerim të kapaciteteve të qeverisë për të prodhuar dhe koordinuar komunikimin, ndërsa kërkesat e protestave kanë qenë të fokusuara te mënyra se si merret dhe ushtrohet pushteti.

‘Përballë kërkesave për qeverisje më të mirë, më shumë transparencë dhe më shumë llogaridhënie, përmes MIA po investohen para publike në një makineri edhe më të sofistikuar të kapaciteteve të qeverisë për të koordinuar komunikimin dhe imponuar narrativën apo perspektivën mbi ngjarjet’, thotë Bleriana Bino për Citizens.al.

Sipas saj, këtu krijohet një mospërputhje mes problemit që ngre shoqëria dhe përgjigjes që jep qeveria.

‘Problemi real dhe shqetësimi kryesor është mënyra si qeverisemi. Ajo që kërkohet është në fakt akses në informacion, praktikisht të zbatohet ligji, të mos ketë vonesa që hasin gazetarët apo qytetarët kur kërkojnë informacion, të ketë qasje të hapur e me pjesëmarrje në vendimmarrje, pra të zbatohen standardet bazë të qeverisjes së mirë’, shprehet ajo.

Për Binon, një komunikim më i sofistikuar nuk mund të zëvendësojë transparencën.

‘Nëse këto mungojnë, paketimi dhe mbushja e hapësirës publike në media apo digjitale me materiale të mirë rregulluara si foto, reels etj., nuk i shërben informimit të qytetarëve, krejt e kundërta’, thotë ajo.

Edhe Isa Myzyraj, gazetar dhe drejtues i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, e vendos theksin te kufiri mes komunikimit të një institucioni dhe gazetarisë.

‘Prej disa vitesh shohim një investim gjithnjë e më të madh të qeverisë në prodhimin dhe shpërndarjen e drejtpërdrejtë të informacionit. Problemi nuk është që qeveria komunikon shumë, çdo qeveri ka detyrimin të informojë qytetarët, por çfarë ndodh kur ky komunikim tenton të zëvendësojë ndërmjetësimin gazetaresk’, thotë Myzyraj.

Ai paralajmëron se në një situatë të tillë gazetaria rrezikon të reduktohet në shpërndarje të materialeve të prodhuara nga institucionet.

‘Nëse media merr deklaratën, videon dhe interpretimin e gatshëm nga institucioni dhe i transmeton pa pyetje, atëherë gazetari rrezikon të shndërrohet nga kontrollues i pushtetit në shpërndarës të komunikimit të tij’, shprehet ai.

Nga transparenca te ‘përmbytja e algoritmit’

Forcimi i komunikimit qeveritar vjen në një moment kur protestat e muajve të fundit kanë treguar se narrativa politike nuk ndërtohet më vetëm përmes institucioneve dhe mediave tradicionale.

Bino vëren se mobilizimi qytetar është zhvilluar në një masë të madhe përmes rrjeteve sociale, mediave online, krijuesve të pavarur të përmbajtjes dhe qytetarëve që dokumentojnë ngjarjet në terren.

‘Besimi në mediat masive vjen në rënie dhe vetë mobilizimi qytetar tregoi edhe pakënaqësitë e qytetarëve me mediat që perceptohen si të lidhura me këtë sistem politiko-ekonomik që synohet të ndryshohet’, thotë ajo.

Sipas saj, investimi në MIA mund të lexohet edhe si një përpjekje për t’iu përgjigjur këtij ndryshimi të ekosistemit informativ.

‘Është e pritshme që aktorët politikë dhe në këtë rast qeveria të përpiqen të reagojnë e të ndërtojnë taktika për t’iu përgjigjur këtij fenomeni. Dhe ky investim tek MIA mund të shihet si investim për të reaguar më shpejt e për të prodhuar përmbajtje më shpejt, më mirë dhe më të koordinuar, edhe duke i paraprirë zhvillimeve, pra duke ‘përmbytur algoritmin’’, thotë Bino.

Por ajo ngre shqetësimin se, në vend që kritikat të trajtohen përmes transparencës dhe përgjigjeve institucionale, ato mund të reduktohen në një problem perceptimi.

 ‘Problemi është që kritika paraqitet sikur është çështje vetëm perceptimi, në përpjekje për të ulur legjitimitetin e kërkesave’, shton ajo.

Protestat e Revolucionit Flamingo kanë krijuar një hapësirë të re komunikimi, ku pamjet e qytetarëve, transmetimet live dhe përmbajtja e prodhuar nga protestuesit kanë qarkulluar shpesh përpara komunikimeve zyrtare.

Myzyraj thotë se kjo ka treguar edhe kufijtë e komunikimit të centralizuar.

‘Një qeveri mund të kontrollojë mesazhin që publikon vetë, por nuk mund të kontrollojë plotësisht mijëra kamera telefonash, transmetime live dhe dëshmi të qytetarëve në terren’, shprehet ai.

Sipas tij, kjo është bërë e dukshme sidomos në rastet e përplasjeve mes protestuesve dhe policisë apo incidenteve me gazetarët, ku pamjet e regjistruara në terren mund të krijojnë një version të ndryshëm nga ai i komunikimit institucional.

‘Pikërisht këtu kuptohet pse gazetaria e pavarur në terren është e pazëvendësueshme’, thotë Myzyraj.

Sipas tij, rrjetet sociale kanë ndryshuar edhe ritmin e përplasjes së narrativave.

‘Një video e regjistruar nga një protestues ose gazetar mund të arrijë një audiencë të madhe përpara se institucioni të publikojë versionin e tij’.

Por kjo nuk e bën automatikisht përmbajtjen e rrjeteve sociale më të besueshme, paralajmëron Myzyraj.

‘Ato mund të demokratizojnë informacionin, por mund të amplifikojnë po aq shpejt manipulimin dhe dezinformimin. Prandaj, në këtë përplasje narrativesh, roli i gazetarit bëhet më i rëndësishëm, jo më i vogël, të verifikojë atë që thotë qeveria, por edhe atë që pretendon turma’, thotë ai.

245 aplikime nuk matin rolin e MIA-s

Pikërisht në këtë debat Rama e përdori numrin e aplikimeve si kundërargument ndaj përkufizimit të MIA-s si ‘agjenci propagande’. Por si Bino, ashtu edhe Myzyraj, thonë se numri i aplikimeve nuk mund të përdoret si matës i rolit të institucionit.

‘Nuk mendoj që numri i aplikimeve tregon që nuk ka propagandë. Tregon që ka të rinj apo njerëz që interesohen për punë dhe është krejt e kuptueshme interesi për t’u punësuar në një autoritet publik’, thotë Bino.

Sipas saj, propaganda nuk përcaktohet nga numri i njerëzve që duan të punojnë në një institucion, por nga mënyra se si ai institucion komunikon.

‘Propaganda testohet tek çfarë e si e kur komunikohet, si vendoset agjenda, çfarë çështjesh trajtohen, çfarë jo, sa akses kanë gazetarët apo shoqëria civile në informacion, etj.’, shprehet ajo.

Edhe Myzyraj e konsideron numrin e aplikimeve të parëndësishëm për të gjykuar rolin e MIA-s.

‘245 aplikime tregojnë interes për një mundësi profesionale, nuk na tregojnë se si funksionon institucioni’, thotë ai.

Për të vlerësuar MIA-n, sipas Myzyrajt, duhet parë mandati i saj, përdorimi i fondeve publike, marrëdhënia me zyrat e shtypit, aksesi i barabartë i mediave në informacion dhe nëse institucioni ‘informon qytetarët apo ndërton dhe kontrollon narrativën politike të qeverisë’.

‘Debati nuk mund të zëvendësohet me numrin e CV-ve të ardhura, por me centralizimin e informacionit që duhet të ishte publik’, shton ai.

Edhe për Bleriana Binon, komunikimi i centralizuar është një problem i dokumentuar dhe i ngritur si një ndër shqetësimet kryesore për lirinë e medias dhe hapësirën publike në Shqipëri.

‘Aksesi në informacion dhe gazetaria profesionale janë zëvendësuar me materiale të gatshme, të mirë rregulluara, me një kah komunikimi nga qeveria te media apo publiku direkt përmes rrjeteve sociale’, argumenton Bino për Citizens.al.

Kjo vendos në qendër edhe një shqetësim më të gjerë për marrëdhënien mes institucioneve dhe medias. Sipas Myzyrajt, sa më shumë të centralizohet komunikimi dhe sa më shumë informacioni të vijë i paketuar në video, deklarata dhe materiale të gatshme për transmetim, aq më e rëndësishme bëhet që gazetarët të kenë akses të drejtpërdrejtë te zyrtarët, të bëjnë pyetje dhe kundërpyetje dhe të kërkojnë dokumente.

‘Përndryshe kemi shumë informacion të prodhuar, por jo domosdoshmërisht më shumë transparencë’, thotë ai.

Për Bleriana Binon, kjo situatë kushtëzon edhe cilësinë e informacionit.

‘Kjo e vendosur në kontekst të një hapësire që po ngushtohet, të një ekosistemi mediatik me sfida serioze, me varësi të mëdha politikë-media-biznes që kushtëzojnë edhe më tej cilësinë e informacionit, apo një mjedis ku redaksitë e vogla dhe kritike kanë kufizime të mëdha’, shprehet Bino.

Ajo thekson se edhe hapësira online ka risqe, si mbyllja e llogarive të protestuesve, prodhuesve të përmbajtjes apo mediave.

Të këshilluara

ide

Po tani, a duhet të dorëhiqet Veliaj?

Deri më tani për ta nxjerë Lalin nga burgu u përdor alibia e mos dëmtimit të interesit të qytetarëve dhe punëve të Tiranës. Këtej e tutje, pasi mirë apo keq, Gjykata e Lartë vendosi të lërë edhe për një kohë relativisht të gjatë të izoluar, duhet të jesh i pafytyrë që të mbrosh idenë se ai mund të mbetet kryebashkiak edhe në dëm të këtij interesi

12:27 Andi Bushati

MOTI TIRANA

24°c

KËMBIMI EURO

91.69

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI