
Për teknikun Carlo Ancelotti, nga tani e tutje, në grumbullimet e kombëtares do të ketë një dilemë më pak. Neymar ka vendosur të tërhiqet nga Brazili pas Botërorit që përfundoi me shumë hidhërim: ai nuk dëshiron të luajë më me kombëtaren dhe ia ka komunikuar vendimin e tij federatës dhe vetë trajnerit të kombëtares, i cili për ndeshjet e ardhshme do të nisë me një grup të ri, më të ri dhe me më shumë hapësirë për rritje. Thirrja e tij për turneun e fundit shkaktoi polemika të mëdha, por kjo zgjedhje nuk do të përsëritet, sepse braziliani ka vendosur t’i japë fund përpara se të thirret sërish.
Neymar heq dorë nga Brazili
Në një intervistë të gjatë për CNN Sports, Ancelotti shpjegoi se nuk e ka grumbulluar Neymar për ndeshjet e ardhshme, sepse ishte vetë lojtari ai që hoqi dorë nga kombëtarja: “Ney e meritonte të ishte në Botëror për shkak të cilësive të tij, por ai tashmë ka konfirmuar se nuk dëshiron të rikthehet në kombëtare. Është i pazëvendësueshëm, ka qenë një talent i jashtëzakonshëm dhe unik për shkak të cilësive të tij, por tani është koha të përqendrohemi te të rinjtë brazilianë”. Botërori ishte prova e fundit e Neymar me Brazilin dhe nuk përfundoi siç ai e priste, edhe sepse mbërriti në turne i dëmtuar dhe me pak për të dhënë për skuadrën e tij, e cila ndodhej në një moment vështirësie.

Neymar nuk dëshiron të luajë më me Brazilin
Zgjedhja, pra, është që të fokusohet te të rinjtë dhe të hapet një cikël i ri, duke grumbulluar veçanërisht futbollistë të lindur mes viteve 2004 dhe 2006. Për disa prej tyre do të bëhet fjalë për debutimin absolut me kombëtaren e madhe, por trajneri dëshiron t’u japë besim për të ndërtuar një skuadër të fortë, e cila nuk është domosdoshmërisht e lidhur me vetëm një emër. Rëndësi ka puna në grup, siç kujton Ancelotti, dhe ky ka qenë mësimi i madh që ai mori nga Botërori. Neymar ka zgjedhur t’i jape fund dhe ka ulur siparin pas eliminimit në raundin e 1/8-ave kundër Norvegjisë, akti i fundit i aventurës së tij të gjatë me fanellën e Brazilit.