
Hayden Panettiere dyshohet se ka humbur jetën pasi mori vetëm një pilulë, e cila besohet se ishte oksikodon i përzier me fentanil, sipas raportimeve të fundit.
Aktorja, e njohur për rolet e saj në “Heroes” dhe “Nashville”, dyshohet se ishte takuar me një person që përshkruhet si “furnizuesi i saj afatgjatë i drogës” në Los Angeles, përpara se të udhëtonte drejt Karolinës së Jugut.
Sipas burimeve të shumta të zbatimit të ligjit të lidhura me çështjen, të cituara nga TMZ, Panettiere mori vetëm një pilulë ditën kur ndërroi jetë, më 16 gusht, pak para ditëlindjes së saj të 37-të. Pilula besohet të ketë qenë e kontaminuar me fentanil, duke e bërë dozën fatale.
Megjithatë, shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është bërë publik. Autoritetet kanë paralajmëruar se rezultatet e analizave toksikologjike mund të kërkojnë deri në 12 javë.
Ndërkohë, hetuesit raportohet se po fokusohen gjithnjë e më shumë te një person i dyshuar si furnizuesi i drogës. Administrata Amerikane për Luftën kundër Drogës (DEA) thuhet se po heton rastin në Los Angeles dhe Karolinën e Jugut.
Ish-partneri i Panettiere, Brian Hickerson, i cili kishte një marrëdhënie të trazuar me aktoren, ndodhej me të gjatë udhëtimit dhe në apartamentin në Karolinën e Jugut ku ajo u gjet e vdekur. Sipas raportimeve, ai është takuar tashmë me zyrtarët e DEA-s.
Nuk dihet se çfarë u ka deklaruar Hickerson autoriteteve, por më herët ai u kishte thënë policëve se Panettiere kishte me vete një “çantë me ilaçe”.
Dokumentet e policisë së Greenville përmendin nëntë lloje të ndryshme medikamentesh, por emrat e tyre janë redaktuar.
Panettiere kishte folur hapur për betejën e saj me varësinë. Në kujtimet e saj “This Is Me: A Reckoning”, ajo rrëfeu se problemet me alkoolin dhe opioidet kishin nisur që në moshë shumë të re.
Aktorja tregoi se ishte vetëm 15 vjeç kur dikush nga ekipi i saj i kishte dhënë ato që ajo i quante “pilula të lumturisë”, përpara një daljeje në tapetin e kuq.
“Ato duhej të më bënin më energjike gjatë intervistave”, kishte treguar ajo për People në vitin 2022, duke shtuar se në atë kohë nuk e kuptonte se çfarë pasojash mund të sillte kjo.
Varësia e saj u përkeqësua më vonë, ndërsa ajo u bë e famshme si aktore që në adoleshencë.
Panettiere kishte folur gjithashtu për përdorimin e alkoolit gjatë periudhës kur vuante nga depresioni pas lindjes së vajzës së saj, Kaya, në vitin 2014. Vajza është nga lidhja e saj me ish-boksierin ukrainas Wladimir Klitschko.
Në kujtimet e saj, aktorja kishte rrëfyer edhe për problemet serioze me shëndetin e mëlçisë, duke treguar se mjekët e kishin paralajmëruar se gjendja e saj mund të bëhej fatale nëse nuk ndalonte së piri.
Tashmë, hetimi vijon ndërsa autoritetet presin rezultatet përfundimtare të toksikologjisë për të përcaktuar zyrtarisht shkakun e vdekjes.