
Gazetari Osman Stafa ka denoncuar në polici një kërcënim me vdekje, të marrë përmes një mesazhi në rrjetet sociale.
Pas kallëzimit të tij, Policia e Shtetit ka reaguar, duke u shprehur se ka referuar materialet procedurale në Prokurorinë e Tiranës, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e autorit. Sipas policisë, mesazhi dyshohet se është dërguar nga një llogari e falsifikuar.
Në kuadër të hetimeve, materialet janë referuar për tre vepra penale, “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”. Autoritetet po punojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe zbardhjen e rastit. Policia e Shtetit deklaron se do të reagojë ndaj çdo forme kërcënimi apo presioni ndaj gazetarëve në ushtrimin e detyrës së tyre.
Njoftimi i policisë
Policia e Shtetit
Strukturat e Policisë së Shtetit kanë referuar materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas kallëzimit të shtetasit O. S., 34 vjeç, banues në Tiranë, i cili ka deklaruar se ka marrë një mesazh me përmbajtje kërcënuese në llogarinë e tij në një rrjet social.
Mesazhi dyshohet se është dërguar nga një llogari e falsifikuar. Në kuadër të veprimeve hetimore po punohet për identifikimin e autorit dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori, për veprat penale “Falsifikimi kompjuterik”, “Përndjekja” dhe “Kanosja”, të parashikuara nga nenet 186/a, 121/a dhe 84 të Kodit Penal.
Hetimet vijojnë në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave të rastit dhe identifikimin e personit përgjegjës.
Policia e Shtetit është e angazhuar maksimalisht për të garantuar rendin dhe sigurinë, jetën dhe pronën e qytetarëve dhe, në veçanti, sigurinë e gazetarëve në ushtrimin e detyrës së tyre, duke reaguar ndaj çdo forme kërcënimi, intimidimi apo presioni që cenon sigurinë dhe lirinë e tyre për të ushtruar profesionin.