Flash

Rama kundër kreut të Shoqatës së Gjyqtarëve: Kurrë nuk mund të flasë një gjykatës kështu!

Lapsi.al 14 September 2026

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të gjyqtarit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, Engert Pëllumbi, njëkohësisht kreu i Shoqatës së Gjyqtarëve, lidhur me debatin për rritjen e pagave të gjyqtarëve.

Në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” me Nisida Tufën, Pëllumbi tha se problemi nuk lidhet me mungesën e parave, por me një vendimmarrje politike të qeverisë. Sipas tij, fondet e nevojshme për rritjen e pagave nuk përbëjnë një barrë të madhe për buxhetin.

“Janë aq para sa GJKKO konfiskon çdo vit krimit të organizuar. Nuk është barrë e madhe, për të mos përmendur këtu paratë që shpërdoron ekzekutivi në lidhje me tenderat”, deklaroi Pëllumbi.

Pikërisht kjo deklaratë solli reagimin e Ramës. Në një postim në platformën X, kryeministri tha se paratë që konfiskohen nga drejtësia nuk mund të konsiderohen si para që i përkasin sistemit të drejtësisë.

“Jo, kurrë nuk mund të flasë një gjykatës kështu!”, shkroi Rama.

Ai e cilësoi të papranueshme idenë që gjyqtarët të kërkojnë më shumë para me argumentin se sistemi i drejtësisë i siguron ato përmes konfiskimeve.

“Historia e botës s’e ka parë që gjykatësit të thonë do t’i marrim paratë vetë nga thesari i shtetit se janë tonat dhe kjo ‘i kemi mbledhur vetë’ është një hata më vete për nga shkalla rrëqethëse e paditurisë mbi funksionimin e shtetit.”

Rama e krahasoi këtë argument me rastin hipotetik të punonjësve të tatimeve, doganave apo policisë, të cilët mbledhin të ardhura apo vendosin gjoba, por nuk mund të pretendojnë se këto para u përkasin atyre.

“Le ta imagjinojmë sikur të çohen doganierët e tatimorët, policët e inspektorët dhe të thonë duam paratë që i kemi mbledhur vetë në thesarin e shtetit nga taksat e nga gjobat!”, shkroi kryeministri.

Sipas Ramës, nëse do të ndiqej një logjikë e tillë, do të lindte menjëherë pyetja se çfarë do të mbetej për punonjësit e tjerë që paguhen nga buxheti i shtetit.

“Çfarë mbetet pastaj për mësuesit, mjekët, ushtarakët e plot e plot të tjerë që shërbejnë mijëra detyra të shtetit, për të cilat paguhen nga thesari?”

Kryeministri solli më pas edhe diferencën mes pagave. Sipas llogaritjes së tij, nëse kërkesa e gjyqtarëve për rritjen e pagave do të pranohej në formën aktuale, një gjyqtar në fillim të karrierës do të merrte një pagë shumë më të lartë se kategori të tjera të administratës publike.

“Dhe sikur kjo rritje e kërkuar pa ligj të pranohet si fakt i kryer, i bie që krahasimisht me mësuesin, mjekun, ushtarakun, një gjyqtar fillestar të marrë 3.8 herë më shumë ose një pagë 280% më të lartë. Të tjerët më lart nuk i merrni dot as me mend se sa më shumë”, shkroi Rama.

Të këshilluara

ide

Ortaku besprerë i Ron Yeffetit

Fabula e përdorimit të sipërmarrëses Arieta Puca, që u promovua nga Rama, për ti hapur rrugën hyrjes në skenë të mikut të tij hebre, përbën realizimin më gjenial të të njëjtit skenar të rilindjes: “Sa më e madhe ëndrra që hidhet në treg, aq më e rëndë është goditja financiare që po përgatitet”

13:41 Andi Bushati

MOTI TIRANA

29°c

KËMBIMI EURO

91.80

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI