
Një tjetër shkollë në fshatrat e Devollit nuk do të hapë dyert këtë vit të ri shkollor.
Bëhet fjalë për shkollën e fshatit Eçmenik, ku dy fëmijët e vetëm që kanë mbetur në fshat do të ndjekin mësimin në Bilisht.
“Një nxënës në kopsht, një në shkollë. E çoi e ëma në Bilisht dhe e regjistroi. Vjet ishim 3-4, sivjet nuk ka. Na vjen keq, fëmijët ku do shkojnë? Shkojnë në Bilisht me paratë e tyre. E për një është i detyruar të rrijë mësuesi”, thotë një banor i fshatit.
E njëjta situatë duket edhe në shkollën e bashkuar të fshatit Fitore, ku këtë vit nuk ka pasur asnjë regjistrim në klasën e 10-të.
Në këtë shkollë mësojnë rreth 7-8 fëmijë, ndërsa mungesa e regjistrimeve në gjimnaz rrezikon që në vitet e ardhshme edhe kjo godinë të mbetet pa nxënës.
“Të rinj nuk ka, një pjesë ikin në Bilisht, një pjesë ikin në profesionale në Korçë. I bie të mbyllet. Na vjen keq, gjimnazi ka pasur 200 e ca nxënës. Të rinjtë kanë ikur, fëmijët jashtë, fshat i vogël, por edhe të mëdhenjtë nuk kanë. Nuk ka të rinj”, thotë një banor.
Boshatisja e fshatrave dhe largimi i familjeve po sjellin rënie të vazhdueshme të numrit të nxënësve, duke vënë në pikëpyetje edhe të ardhmen e shkollave që dikur frekuentoheshin nga qindra fëmijë.