
Ajo që Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e paraqiti për muaj të tërë si një konflikt privat mes ortakëve të Aeroportit të Vlorës, po merr gjithnjë e më shumë pamjen e një afere të dirigjuar nga segmente të korruptuara të qeverisë shqiptare. Dokumentet e regjistrave tregtarë në Shqipëri dhe Kosovë, historiku i tenderëve ku përsëriten të njëjtat kompani dhe, mbi të gjitha, dosja e SPAK-ut për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, nxjerrin në sipërfaqe një rrjet marrëdhëniesh biznesi ku dalin vazhdimisht dy emra: Arbër Abazi dhe Valon Ademi.
Sipas dosjes së SPAK-ut, Arbër Abazi është personi që mori përsipër pagesa për përfundimin e vilës së Belinda Ballukut. Më herët, kompania e lidhur me të, ALKO-IMPEX General Construction, fitoi së bashku me kompaninë 2T tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës. Pikërisht ky tender dhe investimet e Abazit në vilë janë pjesë e akuzës së SPAK-ut për marrëdhënien e dyshuar korruptive mes Ballukut dhe biznesmenit.
Por dosja e Lotit 7 zbulon të dhëna interesante edhe për një histori tjetër: Aeroportin e Vlorës.
Në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës figuron “2T SH.P.K. – Dega në Kosovë”. Kompania është degë e 2T-së shqiptare, ndërsa si përfaqësues i autorizuar i saj del pikërisht Valon Ademi, me funksionin “Drejtor–Agjent i Regjistruar”.
Pra, skema bëhet më e thjeshtë për t’u kuptuar.
Në tenderin shqiptar që SPAK e ka futur në dosjen Balluku–Abazi fituan ALKO-IMPEX dhe 2T. ALKO-IMPEX është degë e kompanisë kosovare të familjes Ademi. Ndërsa degën kosovare të kompanisë tjetër fituese, 2T, e përfaqësonte vetë Valon Ademi. Por ndërkohë që Arbër Abazi pagoi vilën e Belinda Ballukut në këmbim të tenderit, a ka pyetur SPAK se çfarë fitoi Valon Ademi nga kjo aferë?

Më herët, Lapsi.al ka raportuar për lidhjet e ngushta në biznes mes Arbër Abazit dhe Valon Ademit. Kompania ALKO-IMPEX General Construction, e administruar në Shqipëri nga Arbër Abazi, është degë e kompanisë kosovare me të njëjtin emër. Sipas regjistrit tregtar, pronarë të kompanisë në Kosovë rezultojnë Imer Ademi me 51% dhe Fatime Ademi me 49%. Edhe në regjistrin shqiptar Imer Ademi figuron si pronar përfitues i degës shqiptare.
Imer Ademi është babai i Valon Ademit. Valon Ademi është pronar i 2A Group, kompanisë që zotëron vetëm 2% të Vlora International Airport dhe që u përfshi në konfliktin për kontrollin e aeroportit me MABCO-n, zotëruese e 98% të kuotave.
Këto të dhëna mjaftojnë që SPAK të shkojë përtej kufijve, pra në Kosovë për të sqaruar marrëdhënien mes njerëzve që përdori Belinda Balluku për aferat e korrupsionit.
Kompania Eco Cleaning

Marrëdhënia mes ALKO-IMPEX dhe 2T nuk mbaron te Loti 7. Të dyja kompanitë krijuan së bashku edhe shoqërinë koncesionare ECO CLEANING, për shërbimin e pastrimit dhe trajtimit të mbetjeve në Kamëz.
Sipas regjistrit tregtar, ALKO-IMPEX zotëron 95% të kompanisë, ndërsa 2T pjesën tjetër. Administrator i ECO CLEANING figuron Taulant Godroli.
Godroli rishfaqet në historinë e Aeroportit të Vlorës. Ai rezulton se ndërmori veprime në çështjen e VIA-s dhe u përfshi si përfaqësues ligjor.
Pra, edhe këtu lidhja rikthehet te të njëjtat kompani dhe të njëjtët njerëz.
Dyshimet për abuzime në autostradën e Gjilanit
Por bashkëpunimi mes këtyre kompanive është më i vjetër se konflikti i Aeroportit të Vlorës dhe gjurmët të çojnë përsëri në Kosovë, ku janë zhvilluar projekte të tjera problematike.
Në vitin 2018, në Lotin 4 të projektit të Autostradës së Gjilanit u bashkuan 2A Group, ALKO-IMPEX, Ex-Fis dhe 2T.
Pra, vite përpara përplasjes për Aeroportin e Vlorës, 2A Group e Valon Ademit, ALKO-IMPEX e familjes Ademi dhe 2T kishin punuar së bashku në të njëjtin konsorcium për një projekt të madh publik në Kosovë.
Ky projekt u bë më pas objekt raportimesh mediatike për dyshime mbi faturimin dhe diferencat mes punimeve të deklaruara dhe atyre që pretendohej se ishin realizuar në terren. Periskopi raportoi se në dokumente niveli i realizimit figuronte rreth 70%, ndërsa verifikimet e medias në terren sugjeronin një nivel shumë më të ulët.
Edhe këtu del një tjetër emër që sot lidhet me Aeroportin e Vlorës: Nebi Luzha.
Sipas dokumenteve të siguruara nga Lapsi.al, Luzha u angazhua si drejtues teknik në projektin e Aeroportit të Vlorës. Por ai kishte punuar më parë pikërisht me kontratën e konsorciumit ku bënte pjesë 2A Group.
Luzha ishte menaxher i kontratës nga Ministria e Infrastrukturës së Kosovës për Lotin 4 të Autostradës së Gjilanit, një kontratë prej rreth 8.7 milionë eurosh.
Sipas investigimit të Periskopit, dyshimet ishin për një pagesë prej 378,951.39 eurosh për punime që, sipas medias, nuk rezultonin të realizuara në terren. Dokumentacioni i pagesës mbante edhe firmën e Nebi Luzhës si menaxher i kontratës. Më pas media raportoi se për çështjen nisën hetime nga organet e drejtësisë në Kosovë.
Nga lidhjet e biznesit te kontrolli i Aeroportit të Vlorës

Faktet tregojnë një histori marrëdhëniesh biznesi që shtrihet në të dyja anët e kufirit, por ç’është më e rëndësishme tregojnë se çfarë ndodhte në prapaskenë me aeroportin e Vlorës.
Në letër, raporti i forcave në Vlora International Airport është i qartë: MABCO zotëron 98% të aksioneve, ndërsa 2A Group e Valon Ademit vetëm 2%.
Por megjithëse kishte vetëm 2% të aksioneve të regjistruara, 2A Group arriti për një periudhë të ushtronte kontroll faktik mbi VIA-n, ndërsa MABCO, me 98%, u përball me vendime gjyqësore që i kufizuan ushtrimin e të drejtave të saj.
Valon Ademi rezultoi të ishte një faktor i rëndësishëm në Tiranë dhe kjo fjalë lidhjeve që të çonin tek Belinda Balluku. Tani që SPAK thotë se ka gjetur prova për korrupsionin e Ballukut, mbetet për t’u parë nëse hetimet do të shkojnë deri në pengmarrjen e aeroportit të Vlorës.
Dhe ndërkohë që zhvillohet beteja për VIA-n, në hallka të ndryshme të saj shfaqen edhe persona të lidhur me kompani apo institucione të këtij rrethi.
Taulant Godroli, administrator i ECO CLEANING – kompanisë së përbashkët të ALKO-IMPEX dhe 2T – rezulton i përfshirë edhe si përfaqësues ligjor në çështjen e VIA-s.
Nebi Luzha, që menaxhoi nga ana e Ministrisë kosovare kontratën e konsorciumit ku bënte pjesë 2A Group, u angazhua më pas në projektin e Aeroportit të Vlorës.
Një prej vendimeve që kufizoi të drejtat e MABCO-s u mor nga gjyqtarja Mariana Shegani Dedi. Bashkëshorti i saj, Ilir Shegani, rezulton i punësuar në Albcontrol, një institucion që për vite ishte nën varësinë e ministrisë së drejtuar nga Belinda Balluku.
Edhe pse kjo marrëdhënie familjare nuk provon direkt se Balluku ndikoi mbi vendimin e gjyqtares, ajo merr rëndësi si pjesë e një tabloje më të gjerë, ku përreth konfliktit të VIA-s shfaqen vazhdimisht njerëz që lidhen, drejtpërdrejt ose përmes kompanive dhe institucioneve, me të njëjtin rreth.
Kjo është arsyeja pse formula e përdorur deri tani nga Ministria e Infrastrukturës – “mosmarrëveshje mes ortakëve” – nuk mjafton më për të shpjeguar atë që ndodhi në Aeroportin e Vlorës.
Deri tani nuk ekziston një akuzë e SPAK-ut që ta lidhë dosjen Balluku–Abazi me Aeroportin e Vlorës dhe as një vendim gjyqësor që të provojë ekzistencën e një skeme të koordinuar për marrjen e VIA-s. Por lidhjet e dokumentuara janë tashmë të mjaftueshme për të ngritur një pyetje që meriton hetim: A ishte vërtet Aeroporti i Vlorës një konflikt mes dy ortakëve, apo pas tij funksionoi një rrjet biznesi me ndikim politik që ndihmoi ortakun me 2% të merrte kontrollin nga investitori me 98%?
Nëse një ditë provohet alternativa e dytë, del se institucionet e shtetit u përdorën për të kryer rrëmbimin e një prone në mes të ditës. Dhe në një arbitrazh ndërkombëtar, kjo mund të rezultojë shumë e kushtueshme për qytetarët e Shqipërisë.
