Flash

Maran rrëfehet në intervistën e pazakontë, nga tava e dheut te gjuha shqipe: "Avash-avash"

Rolando Maran rrëfen muajt e parë në Shqipëri dhe zbulon një anë më personale, larg presionit të rezultateve dhe ndeshjeve të Kombëtares.

Lapsi.al 14 September 2026


Nga futbolli te jeta e përditshme, nga natyra te tavë dheu, “avash-avash” dhe vështirësia për të thënë “përshëndetje”. Rolando Maran rrëfen muajt e parë në Shqipëri dhe zbulon një anë më personale, larg presionit të rezultateve dhe ndeshjeve të Kombëtares. Trajneri italian thotë se është ndier i mirëpritur që në fillim, ndërsa te shqiptarët ka identifikuar një karakteristikë që kërkon ta shndërrojë edhe në vlerë për skuadrën kuqezi: vendosmërinë.

Nga rutina e mëngjesit te Federata

Për Rolando Maranin, dita nis herët dhe, para se të hyjë në botën e futbollit, ka një ritual që nuk ndryshon shumë. Kontakti me ambientin e hapur është pjesë e rëndësishme e përditshmërisë së tij. “Gjëja e parë që kërkoj është një hapësirë të jashtme, çfarëdo qoftë ajo. Ose hap një dritare, dal në tarracë apo në kopsht, por gjëja e parë që bëj është të dal në një ambient të hapur”, tregon tekniku kuqezi. Pas mëngjesit vjen puna. Nuk ka një orar strikt për mbërritjen në Federatën Shqiptare të Futbollit, por përgatitjet për ndeshjet zënë pjesën kryesore të ditës së tij.

Për Maranin, megjithatë, futbolli nuk është thjesht profesion. Është një pasion që ka nisur shumë vite më parë. "Puna ime lind nga pasioni, ndaj është e qartë që, duke qenë një pasion, më pëlqen gjithçka”, shprehet ai, duke kujtuar kohën kur vetë ëndërronte të bëhej futbollist dhe më pas e vazhdoi rrugëtimin në rolin e trajnerit.

Sot, fakti që drejton një përfaqësuese kombëtare i jep një tjetër dimension kësaj historie. “Kjo më mbush me krenari dhe, mbi të gjitha, bëj atë që më pëlqen. Nuk ka asgjë në punën time që nuk më pëlqen”, thekson Maran.

Shqipëria, më shumë se një pritshmëri

Kanë kaluar vetëm disa muaj nga ardhja e tij në Shqipëri, por përshtypja e parë për vendin dhe njerëzit duket se është shndërruar tashmë në një bindje të fortë. Maran nuk flet për një surprizë, por për një ndjesi që i është konfirmuar dhe madje tejkaluar. “Ishte një konfirmim i mëtejshëm. Më kishin folur për mikpritjen tuaj dhe ju e keni tejkaluar atë që më kishin thënë”, rrëfen trajneri italian.

Dhe më pas vjen një nga frazat më domethënëse të intervistës: “Duhet të jem i sinqertë: ndihem si në shtëpi, më keni bërë të ndihem si miku juaj prej gjithmonë.” Është një vlerësim që tregon se për Maranin përshtatja nuk lidhet vetëm me aspektin profesional. Kontakti me ambientin shqiptar dhe mënyra se si është pritur kanë krijuar një afërsi që ai e vlerëson veçanërisht.

“Vendosmëria është ADN-ja e shqiptarit”

Nëse mikpritja ka qenë ajo që e ka bërë të ndihet më shpejt pjesë e ambientit, një tjetër karakteristikë ka tërhequr vëmendjen e tij në mënyrë të veçantë: vendosmëria. Maran thotë se gjatë këtyre muajve ka vërejtur forcën me të cilën shqiptarët përballen me gjërat dhe e sheh këtë si një element që mund të ketë vlerë edhe brenda Kombëtares. “Ajo që kam vlerësuar shumë gjatë këtyre muajve është vendosmëria dhe forca me të cilën i bëni gjërat. Është një vlerë shumë e madhe”, thotë ai.

Por trajneri nuk dëshiron që kjo të mbetet vetëm një përshtypje personale. Synimi i tij është ta përcjellë këtë karakteristikë te futbollistët. “Është diçka që dua t’ua transmetoj edhe lojtarëve kur të vijnë, sepse kjo është ADN-ja e futbollistit dhe e popullit shqiptar.” Një deklaratë që shkon përtej një interviste personale. Për Maranin, karakteri i një kombi mund të kthehet edhe në një forcë sportive, sidomos në momentet kur një ndeshje kërkon më shumë se skemat taktike.

“Avash-avash” dhe beteja me shqipen

Edhe pse ende nuk pretendon se ka përvetësuar zakonet shqiptare, Maran duket se po përpiqet të afrohet gjithnjë e më shumë me realitetin vendas. “Po studioj për t’u afruar gjithnjë e më shumë me ju. Dalëngadalë po përpiqem të kuptoj, sepse ka shumë gjëra të bukura, shumë aspekte, edhe në territorin tuaj, që më kanë ngjallur vërtet kureshtje”, shpjegon ai.

Në këtë proces nuk mungojnë as momentet argëtuese. Sidomos kur bëhet fjalë për gjuhën shqipe. Fjala që i pëlqen më shumë për nga tingëllimi është “avash-avash”. Arsyeja? Jo ndonjë kuptim i veçantë, por thjesht mënyra se si tingëllon.

Ndërsa përshëndetja në shqip rezulton të jetë një sfidë tjetër. “Ndoshta sepse tek ne është shumë e lehtë të përshëndesësh me një ‘Ciao’, ndërsa të përshëndesësh me ‘Përshëndetje’ është pak më e komplikuar”, tregon me humor Maran. Dhe kur vjen puna te “Çkemi?”, duket se italiani ka vendosur të mos rrezikojë. “Pastaj, versioni tjetër, ‘Çkemi?’, sipas meje është edhe më i vështirë, kështu që për të heq dorë fare.”

Tavë dheu në menunë e Maranit

Nëse me gjuhën ende po bën përpjekjet e para, me kuzhinën shqiptare duket se ka bërë përparim më të madh. Kur pyetet për pjatën që i ka pëlqyer më shumë, përgjigjja vjen menjëherë: tavë dheu. “Tavë dheu. Po, nëse e kam shqiptuar mirë… Madje është padyshim më e mirë sesa mënyra se si e shqiptova unë! Por më ka pëlqyer shumë”, thotë ai. Një tjetër element që tregon se muajt e parë në Shqipëri nuk kanë qenë për Maranin vetëm punë, stërvitje dhe ndeshje.

Kur Maran nuk është në stol

Kur ka kohë të lirë, trajneri italian nuk kërkon shumë zhurmë. Natyra, familja dhe miqtë janë pjesë e ditës së tij ideale. “E dua shumë natyrën dhe ambientin e hapur, ndaj dua të jem gjithmonë jashtë”, tregon Maran. Preferencat ndryshojnë edhe në varësi të stinës. Në dimër, bora dhe skitë janë ndër zgjedhjet e tij të preferuara. Në ditët e tjera, shëtitjet dhe koha me familjen apo miqtë janë ato që i japin më shumë kënaqësi.

Në fund, intervista e Maranit sjell një portret larg konferencave për shtyp, formacioneve dhe rezultateve. Një trajner italian që po përpiqet të njohë vendin ku punon, të mësojë disa nga fjalët e para në shqip dhe të kuptojë më mirë njerëzit që përfaqëson. Por mbi të gjitha, ai duket se ka gjetur një pikë të përbashkët me futbollin që kërkon të ndërtojë: vendosmërinë. Dhe pikërisht këtë vlerë, siç e thotë vetë, kërkon ta shohë edhe te futbollistët e Kombëtares.

 

Të këshilluara

ide

Ortaku besprerë i Ron Yeffetit

Fabula e përdorimit të sipërmarrëses Arieta Puca, që u promovua nga Rama, për ti hapur rrugën hyrjes në skenë të mikut të tij hebre, përbën realizimin më gjenial të të njëjtit skenar të rilindjes: “Sa më e madhe ëndrra që hidhet në treg, aq më e rëndë është goditja financiare që po përgatitet”

13:41 Andi Bushati

MOTI TIRANA

28°c

KËMBIMI EURO

91.80

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI