
Laçi ka marrë një fitore me peshë në javën e katërt të “Abissnet Superiore”, duke mposhtur 2-0 Vllazninë në Kurbin. Një sukses që u vendos në pjesën e dytë dhe që e ngjit skuadrën kurbinase në zonën e sipërme të renditjes, ndërsa për shkodranët situata bëhet gjithnjë e më shqetësuese.
Pjesa e parë pa gola, Laçi ndryshon ritmin pas pushimit
45 minutat e para nuk prodhuan gola, por ekuilibri u prish menjëherë në fillimin e pjesës së dytë. Laçi u rikthye në fushë me një qasje më agresive dhe vetëm pesë minuta pas rifillimit gjeti avantazhin. Orgi Cena ishte ai që realizoi në minutën e 50’, duke i dhënë skuadrës së tij një epërsi që do të rezultonte vendimtare në zhvillimin e mëtejshëm të takimit. Vllaznia tentoi të reagonte, por në minutën e 74’ situata u komplikua ndjeshëm për ekipin shkodran.
Kartoni i kuq i Mehmetit sjell protesta dhe ndërprerje
Adrian Mehmeti u ndëshkua me karton të kuq nga gjyqtari Cjapi, një vendim që shkaktoi protesta nga futbollistët dhe stafi i Vllaznisë. Episodi u konsiderua i diskutueshëm edhe për faktin se kartoni i kuq nuk erdhi pas një faulli të evidentuar në aksion. Majde vendimi erdhi pasi ndaj mesfushorit që po kryente një rinvënie anësore tifozët hodhën një shapkë për ta goditur. Drejtori sportiv i Vllaznisë, Sinani, kërkoi gjithashtu shpjegime për vendimin e arbitrit, por kuqeblutë mbetën me 10 lojtarë.
Për sendin që u hodh nga tribuna drejt fushës, Cjapi kërkoi edhe boshatisjen e një pjese të tribunës nga ku kishte ardhur objekti. Ndërprerja dhe inferioriteti numerik e bënë edhe më të vështirë situatën e Vllaznisë, e cila tashmë duhej të kërkonte barazimin me një lojtar më pak.
Traore vulos fitoren në fund
Pas rifillimit të lojës, Laçi nuk vonoi për të shfrytëzuar situatën. Në minutën e 89’, Traore u shfaq në vendin e duhur brenda zonës dhe ndëshkoi për herë të dytë kuqeblutë.
Goli i sulmuesit praktikisht mbylli derbin dhe i dha Laçit një fitore 2-0, në një ndeshje ku momentet e pjesës së dytë ndryshuan të gjithë panoramën e përballjes.
Laçi ngjitet, Vllaznia mbetet në fund
Tri pikët e rikthejnë Laçin te fitorja dhe e çojnë në 7 pikë, në vendin e katërt të renditjes. Për kurbinasit, rezultati është një shtysë e rëndësishme pas katër javësh kampionat, ndërsa për Qatip Osmanin është një lloj shpagimi pasi arriti të mposhtë ish-ekipin e tij.
Në krahun tjetër, Vllaznia vijon të ketë një nisje shumë të vështirë, për më tepër me teknikun Martini ende të pezulluar pas ngjarjeve në Elbasan. Shkodranët mbeten me vetëm 2 pikë, në vendin e parafundit, duke e bërë edhe më të domosdoshëm reagimin në javët e ardhshme.