
Kuvendi i Kosovës e ka votuar Qeverinë e re të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje me 62 vota për, tetë kundër dhe asnjë abstenim, duke i siguruar Kurtit mandatin e katërt si kryeministër i Kosovës.
LVV-ja ka 53 deputetë në Kuvend, por Qeveria e re u mbështet edhe nga nëntë deputetë të komuniteteve joshumicë - tetë nga pakicat joserbe dhe nga Nenad Rashiq i pakicës serbe.
Në seancë nuk morën pjesë deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës. Deputetët e Listës Serbe morën pjesë dhe votuan kundër.
Përbërja e kabinetit qeveritar mbetet e njëjtë me atë të Qeverisë së tretë të drejtuar nga Kurti.
Përbërja e kabinetit qeveritar “Kurti 4” (LEXO KETU)
Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se nuk do të prezantojë ndonjë program apo agjendë të re pasi që tha se zgjedhjet e përsëritura e kanë ndërprerë qeverisjen që do të vazhdojë edhe në mandatin e ri.
Kurti tha se vizioni i Lëvizjes Vetëvendosjes do jetë i përqendruar te mirëqenia e qytetarve dhe mbrojtja e familjeve.
“Sot ky mandat është për ta kthyer fuqishëm sigurinë dhe mirëqenien në përditshmërinë e qytetarit”, tha Kurti.
Ai premtoi gjithashtu investime të ndryshme kapitale, si për themelimin e një kompanie ajrore në pronësi publike dhe krijimin e një rrjeti të transportit publik në tërë vendin.
Si u konstituua Kuvendi?
Kuvendi u shpall i konstituuar më herët gjatë ditës, pasi u zgjodhën nënkryetarët nga radhët e LDK-së dhe komuniteteve pakicë.
Partia Demokratike e Kosovës nuk mori pjesë në seancë dhe paraprakisht e kishte tërhequr kandidaturën e Vlora Çitakut për nënkryetare.
Kryesuesja e seancës, Albulena Haxhiu, tha se Kuvendi “nuk mund të mbetet peng i askujt, i asnjë subjekti politik”.
Kandidati i LDK-së për nënkryetar, Kujtim Shala, u zgjodh me 75 vota.
Pas tetë kandidaturave të dështuara nga Lista Serbe, u zgjodh edhe deputetja serbe Tanja Vujoviq. Ajo mori votat e LVV-së dhe të disa deputetëve të LDK-së.
Nga komunitetet joserbe u zgjodh deputetja boshnjake Emilija Rexhepi.
Pas votimit të nënkryetarëve, Haxhiu deklaroi se Kuvendi “konsiderohet i konstituuar”.
Në një vendim të mëhershëm, Gjykata Kushtetuese kishte lënë të hapur mundësinë që Kuvendi, në rrethana të caktuara, të funksionojë edhe pa një nga anëtarët e Kryesisë, nëse zgjedhja e tij pamundësohet dhe Kryesia ka kuorum për vendimmarrje.
Si një rrethanë e tillë ishte përmendur rasti kur një deputet ose grup parlamentar që ka të drejtë të propozojë anëtar të kryesisë nuk e ushtron këtë të drejtë ose e pengon procesin.
PDK-ja e kundërshton procesin
PDK-ja kundërshton interpretimin se Kuvendi është konstituuar pa nënkryetarin e saj.
Deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese që lejon, në rrethana të caktuara, funksionimin e Kuvendit pa një anëtar të Kryesisë nuk mund të zbatohet në këtë rast.
Sipas Grudës, PDK-ja nuk ka hequr dorë nga e drejta për të propozuar nënkryetarin, por vetëm e ka pezulluar përkohësisht ushtrimin e kësaj të drejte, derisa Gjykata Kushtetuese të sqarojë situatën.
Ai tha se “askush nuk mund të përfitojë nga shkelja e vet”, duke argumentuar se LVV-ja nuk mund t’i shkelë afatet për konstituimin e Kuvendit dhe më pas të përdorë këtë situatë për t’ia mohuar PDK-së të drejtën për të propozuar nënkryetarin.
PDK-ja ka paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
Në anën tjetër, Kurti tha se kurdo që PDK-ja të jetë e gatshme të propozojë kandidatin e saj për nënkryetar, deputetët e LVV-së do ta votojnë.
Çfarë ndodh tani?
Deputeti i LDK-së, Ermal Sadiku, e ka interpretuar procesin e fundit si pjesë të një skenari që çon drejt zgjedhjeve të reja. Sipas tij, 60 ditët për zgjedhjen e presidentit, së bashku me 45 ditët për mbajtjen e zgjedhjeve, çojnë pikërisht te 27 dhjetori.
Kjo datë përkon me periudhën e festave të fundvitit, kur një pjesë e diasporës së Kosovës kthehet në vend.
Data është veçanërisht e rëndësishme për LVV-në, e cila në zgjedhjet e qershorit 2026 mori përqindje dukshëm më të lartë të votave nga diaspora sesa nga votuesit rezidentë.
LVV-ja mori rreth 73 për qind të votave me postë dhe 83 për qind të votave në përfaqësi diplomatike, ndërsa nga votat e qytetarëve rezidentë mori rreth 43 për qind.
Edhe pse 62 vota i mjafton LVV-së për ta formuar Qeverinë e re, ato nuk mjaftojnë edhe për ta përmbyllur procesin e zgjedhjes së presidentit të ri.
Më 31 gusht, LVV-ja dhe LDK-ja njoftuan se do ta mbështesnin kandidaturën e përbashkët të Bekim Sejdiut për president.
Por kjo kandidaturë ka shkaktuar përplasje brenda LDK-së. Gjashtë nga 18 deputetët e saj kanë deklaruar se nuk do ta mbështesin. /Marrë nga Radio Evropa e Lirë