
Lily Allen ka reaguar ndaj deklaratave të ish-bashkëshortit të saj, aktorit David Harbour, lidhur me albumin e saj “West End Girl”, i cili trajton në mënyrë të drejtpërdrejtë tradhtinë dhe fundin e një martese.
Këngëtarja 41-vjeçare foli për komentet e Harbour në një intervistë të re për The Cut. Albumi, i publikuar rreth tetë muaj pas ndarjes së çiftit në shkurt të vitit 2025, u frymëzua nga përvojat personale të Allen dhe mori një reagim shumë pozitiv nga publiku.
Harbour, 51 vjeç, kishte thënë më herët se historia e treguar në album “nuk ishte përvoja ime”, por shtoi se e respektonte ish-bashkëshorten për mënyrën se si kishte zgjedhur të shprehte të vërtetën e saj përmes muzikës.
Allen e cilësoi këtë deklaratë si një gjest bujar. “Mendoj se ishte një gjë bujare që ai ta thoshte,” u shpreh ajo.
Duke folur për ish-bashkëshortin, Allen shtoi se ai po përjeton gjithashtu një periudhë të suksesshme në karrierë.
“Ai po kalon edhe vetë një moment të madh suksesi, apo jo? Është nominuar për një Emmy dhe kjo është fantastike. Ne të gjithë po bëjmë gjërat tona dhe po bëjmë atë që duhet të bëjmë,” tha këngëtarja.
Më pas, ajo dha edhe një vlerësim për aktorin e “Stranger Things”.
“Nëse ka një gjë që di për David Harbour, është se ai është një aktor i shkëlqyer,” tha Allen.
Harbour kishte folur për albumin rreth tre muaj më parë, duke e cilësuar situatën si “të çuditshme”, por duke theksuar se historitë personale janë komplekse. Aktori deklaroi se çdo artist ka të drejtë të përdorë përvojat e veta për të krijuar art dhe se e respekton zgjedhjen e Allen për ta bërë këtë.
“Historitë janë komplekse. Prandaj them se e respektoj mënyrën se si ajo e ka kanalizuar përvojën e saj përmes artit. Nuk ishte përvoja ime,” kishte thënë Harbour.
Allen dhe Harbour u ndanë në shkurt 2025 dhe divorci i tyre u finalizua po atë muaj. Çifti ishte martuar në Las Vegas në vitin 2020, pas një lidhjeje që zgjati rreth pesë vjet.
Në intervistën e saj të fundit, Allen shpjegoi se edhe pse nuk është shumë e zëshme kur vjen puna te promovimi i projekteve të saj, ajo është jashtëzakonisht e hapur në këngët që shkruan.
“Nëse ndihem vërtet fort për diçka, atëherë mirë, sepse do ta përdor për artin tim dhe do të shkruaj për të,” tha ajo.
Sipas Allen, sinqeriteti i saj i drejtpërdrejtë në “West End Girl” mund të ketë qenë një nga arsyet pse albumi u prit kaq mirë.