
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke ngritur pikëpyetje mbi faktin se pse në Kuvend nuk ka mbërritur ende një kërkesë e re nga SPAK për heqjen e imunitetit të saj.
“Kanë kaluar 5 ditë që kur SPAK njoftoi se Belinda Balluku është marrë e pandehur edhe për tre akuza të reja, por në Kuvend ende nuk ka mbërritur asnjë kërkesë e re nga SPAK për heqjen e imunitetit për arrestimin e saj”, ka shkruar ai.
Në një postim në rrjetet sociale, deputeti i PD-së thotë se tashmë mbi Ballukun rëndojnë edhe tri akuza të reja që ai i cilëson si ndër më të rëndat për një zyrtar të lartë, konkretisht korrupsioni pasiv, pastrimi i parave dhe fshehja e pasurisë.
Ai ndalet edhe te provat e reja nga SPAK, që lidhen me dy vila të fshehura të Ballukut në dy prej resorteve më luksoze në bregdet, dhe ngre pikëpyetje mbi qëndrimin e SPAK duke kërkuar të dijë përse nuk është ndërmarrë një veprim i ri lidhur me masën e sigurimit ndaj Ballukut.
“Pra, akuzat janë rënduar, pozita penale e Belinda Ballukut po ashtu, por SPAK po hesht për rëndimin e masës së sigurimit. Një standard që e pranoi dhe e zbatoi në dhjetor drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho. Pse SPAK bëhet pjesë e lojës politike dhe po i jep kohë Edi Ramës për manovra politike?”, shkruan ai.
“Edhe sa vila duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut që SPAK t’i bindet ligjit dhe jo ‘Aleancës së Valamarit’?”, pyet ai në fund.
Deklarata e plote
Kanë kaluar 5 ditë që kur SPAK njoftoi se Belinda Balluku është marrë e pandehur edhe për tre akuza të reja, por në Kuvend ende nuk ka mbërritur asnjë kërkesë e re nga SPAK për heqjen e imunitetit për arrestimin e saj. Mbi ish-zv/kryeministren rëndojnë akuzat më të rënda për një zyrtar të lartë: korrupsion pasiv, pastrim parash dhe fshehje pasurie, të cilat i shtohen akuzës së parë për shkelje të barazisë në 8 procedura prokurimi me vlerë 1.2 miliardë euro.
Provat e reja faktojnë zbulimin e dy vilave të fshehura të Belinda Ballukut në dy prej resorteve më luksoze në bregdet. Kemi parë edhe sesi shijet e zonjës Balluku për mermerin blu në vilën e Palasës konkurronin me shijet e arkitektëve për stilin dhe materialet high-end, si të jahteve apo hoteleve më luksoze. Të gjitha këto ndodhen në email-in personal të Belinda Ballukut.
Pra, akuzat janë rënduar, pozita penale e Belinda Ballukut po ashtu, por SPAK po hesht për rëndimin e masës së sigurimit. Një standard që e pranoi dhe e zbatoi në dhjetor drejtuesi i SPAK-ut, Klodian Braho.
Pse SPAK bëhet pjesë e lojës politike dhe po i jep kohë Edi Ramës për manovra politike?
Edhe sa vila duhet t’i zbulohen Belinda Ballukut që SPAK t’i bindet ligjit dhe jo “Aleancës së Valamarit”?