
Bashkimi Evropian (BE) ka thënë të martën se e mbështet “fuqishëm” sovranitetin, rendin kushtetues dhe integritetin territorial të Bosnje e Hercegovinës, pas deklaratave të një kryetari komunal në Republikën Sërpska për bashkimin e këtij entiteti me Serbinë.
Në prag të festimit të Ditës së Unitetit, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar Serb, kryetari i Banjallukës, Drashko Stanivukoviq, shkroi në Facebook se "Republika Sërpska dhe Serbia janë një".
"Një popull dhe një flamur. Uniteti, harmonia, harmonia dhe liria, janë fjalë të shenjta serbe për të cilat duhet të përpiqemi, pafundësisht, deri në qëllimin përfundimtar", tha Stanivukoviq.
Bashkimi Evropian në Bosnje kujton se "thirrjet e njëanshme për ndryshime në kornizën kushtetuese, qoftë përmes ndarjes, rivendosjes së kufijve, integrimit me shtetet fqinje apo shfuqizimit të entiteteve, nuk janë në përputhje me dispozitat e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe, as me rrugën evropiane të Bosnje e Hercegovinës".
"Udhëheqësit politikë duhet të përmbahen nga retorika përçarëse dhe provokuese dhe të respektojnë Kushtetutën e Bosnje e Hercegovinës. Diskursi publik, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore, duhet të përqendrohet në pritjet e qytetarëve në lidhje me përmirësimin e kushteve socio-ekonomike dhe mjedisore, si dhe reformat në fushat e sundimit të ligjit dhe demokracisë, të nevojshme për përparimin drejt anëtarësimit në BE", thekson BE-ja.
Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR) dhe OSBE-ja reaguan gjithashtu ndaj deklaratës së Stanivukoviqit.
ZPL-ja tha se "thirrjet e njëanshme për shfuqizimin e entiteteve, si dhe thirrjet për shkëputje, pavarësi ose bashkim me një shtet tjetër, janë në kundërshtim me kornizën kushtetuese të Bosnje e Hercegovinës të përcaktuar nga Marrëveshja e Dejtonit për Paqe".
Ajo deklaroi më 14 shtator se "qytetarët nuk duhet të mashtrohen nga premtime që nuk mund të përmbushen, as emocionet dhe frika e tyre nuk duhet të shfrytëzohen për përfitime politike".
"Udhëheqësit politikë duhet të respektojnë Kushtetutën dhe duhet të përmbahen nga retorika nxitëse. Në vend të kësaj, ata duhet të përqendrohen në adresimin e nevojave reale të qytetarëve", thuhej në deklaratë.
Misioni i OSBE-së në Bosnje tha se retorika politike që vë në pikëpyetje ekzistencën e shtetit të Bosnjës, ose të entiteteve të saj, është në kundërshtim me Marrëveshjen e Dejtonit për Paqe.
Dita e Unitetit, Lirisë dhe Flamurit Serb festohet si festë kombëtare që nga viti 2020, bazuar në një marrëveshje midis udhëheqjes së Serbisë dhe Republikës Sërpska, dhe shënohet në ditën kur Fronti i Selanikut u thye në vitin 1918 në Luftën e Parë Botërore./REL