
Policia e Shtetit konfirmoi se Drejtoria Vendore e Policisë së Durrësit dhe strukturat operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), finalizuan operacionin e koduar “The Wanted”.
“Si rezultat i operacionit, në Durrës u kap shtetasi Ergys Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK-u. Në kuadër të operacionit, u kap dhe u arrestua edhe shtetasi Uljan Shpataraku, i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me personin e kërkuar Ergys Agasi” – thuhet në njoftim.
Agasi, i shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen e AKSHI-t, u vu në pranga pasditen e kësaj të mërkure në zonën e Plepave në Durrës. Burime nga policia thanë se ai është pikasur në zonën e Elbasanit dhe është mbajtur nën mbikëqyrje derisa është vënë në pranga.
Agasi ishte në kërkim nga SPAK pasi së bashku me biznesmenin Ermal Beqiri dhe ish-drejtuesen e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj akuzohen si pjesë e një grupi kriminal që manipulonte tenderët publikë.

Ndërsa Uljan Shpataraku, ish-polici i shpallur në kërkim për kanosjen e stafit të një hoteli në Dhërmi, njihej edhe si i besuari i ish-drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda. Në maj, Skënder Hita e përjashtoi Shpatarakun nga radhët e Policisë për mosparaqitje në detyrë. Ai mbante detyrën e asistentit në Departamentin e Teknologjisë së Informacionit në Policinë e Shtetit. ©LAPSI.al