
Bashkitë në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë bërë përparim në përafrimin ligjor me Bashkimin Europian, por vazhdojnë të kenë mungesë financimi, personeli dhe kapacitetesh teknike për zbatimin e standardeve europiane. Dobësitë janë më të theksuara në administrimin e fondeve të BE-së, prokurimet publike, shërbimet sociale, parandalimin e korrupsionit dhe mbrojtjen e mjedisit, sipas një studimi të NALAS, rrjeti i shoqatave të autoriteteve vendore të Europës Juglindore.
Studimi që i takon vitit 2025 analizon Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Vlerësimi përqendrohet në pesë kapituj të negociatave që prekin drejtpërdrejt pushtetin vendor: prokurimet publike, politikat sociale dhe punësimi, politikat rajonale dhe fondet strukturore, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, si dhe mjedisi e ndryshimet klimatike. Raporti konstaton se qytetet e mëdha dhe kryeqytetet kanë më shumë të ardhura, specialistë dhe struktura administrative për t’iu përshtatur kërkesave të BE-së. Bashkitë e vogla dhe rurale kanë më shumë vështirësi në përgatitjen e projekteve, prokurimet, shërbimet sociale, administrimin e ujit dhe mbetjeve dhe zbatimin e masave kundër korrupsionit.
Ndërkohë, autonomia fiskale vendore është dobësuar. Në vitin 2006, të ardhurat e veta, taksat e ndara dhe granti i përgjithshëm përbënin 83% të buxheteve vendore në rajon. Në vitin 2021, pesha e tyre kishte zbritur në 70%.
Mungesa e aftësisë për të përgatitur dhe zbatuar projekte europiane është një nga problemet e përbashkëta të gjashtë vendeve. Administratat e vogla kanë vështirësi të plotësojnë dokumentacionin, të përgatisin projektet teknike, të kryejnë prokurimet sipas rregullave të BE-së dhe të sigurojnë bashkëfinancimin.
Në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë, përgatitja për politikat rajonale dhe instrumentet strukturore vlerësohet ende në fazë të hershme. Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia klasifikohen si mesatarisht të përgatitura, por të gjitha kanë mangësi në nivelin vendor.
Raporti paralajmëron se këto dobësi mund të pengojnë edhe përdorimin e Planit të Rritjes prej 6 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor. Aftësia për të përthithur fondet dhe për të zbatuar reformat ende nuk është provuar, ndërsa konsultimi i kufizuar i bashkive nga qeveritë qendrore mund të ndikojë në cilësinë e projekteve.
NALAS rekomandon krijimin e fondeve që do të ndihmonin bashkitë, veçanërisht ato me më pak burime, me bashkëfinancimin, financimin paraprak, studimet e fizibilitetit, vlerësimet mjedisore dhe dokumentacionin teknik.
Studimi evidenton se korrupsioni vazhdon të jetë problem në të gjashtë vendet, sidomos në prokurimet publike, financat, energjinë, transportin, shëndetësinë, ujin, infrastrukturën, burimet natyrore dhe arsimin.
NALAS rekomandon përfshirjen e detyrueshme të pushtetit vendor në hartimin e legjislacionit që do të zbatohet nga bashkitë, si dhe në grupet e negociatave, komitetet tematike dhe strukturat që programojnë fondet IPA.
Procedurat administrative duhet të standardizohen, veçanërisht në prokurime, menaxhim financiar, vlerësime mjedisore dhe masa kundër korrupsionit. Raporti kërkon gjithashtu rishikimin e ligjeve të decentralizimit për të përcaktuar qartë përgjegjësitë dhe burimet e financimit. Bashkitë duhet të kenë fonde për bashkëfinancimin dhe parapagimin e projekteve, si dhe mbështetje për hartimin e studimeve të fizibilitetit dhe dokumentacionit teknik./ Monitor