
Tetë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa pesë të tjera po mbahen nën monitorim. Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar gjithsej 33 vatra. Në operacionet për shuarjen e flakëve janë angazhuar mbi 500 forca dhe 51 mjete zjarrfikëse. Në terren po operojnë edhe Forcat e Armatosura, të mbështetura nga helikopterë dhe avionë Air Tractor. Situata më problematike paraqitet në Malin e Dajtit dhe në Gurë-Lurë të Dibrës.
Në Dajt vijon ndërhyrja nga toka dhe ajri, me dhjetëra zjarrfikës, forca ushtarake dhe dy helikopterë. Sipas autoriteteve, banesat nuk janë në rrezik. Vatrat në Priskë dhe Vakumone janë vënë nën kontroll.
Në Gurë-Lurë po zhvillohet një operacion i gjerë me mbi 200 forca. Dy avionë Air Tractor po mbështesin ndërhyrjen nga ajri. Korridoret e hapura në terren kanë frenuar përhapjen e zjarrit drejt zonave të banuara.
Vatra aktive mbeten edhe në Qafë Helmës, Bruç, Lufaj të Mirditës dhe Fushë-Lajë të Pukës. Në Rrjoll, situata po monitorohet edhe me dronë.