
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka paralajmëruar një paketë të re dhe të fuqishme sanksionesh ndaj Rusisë, e cila pritet të propozohet në vjeshtë. Duke folur në një intervistë për gazetën gjermane Die Welt, Kallas deklaroi se po përgatit listën më ambicioze të sanksioneve që nga fillimi i luftës në Ukrainë.
Sipas saj, nëse masat miratohen, numri i përgjithshëm i individëve dhe subjekteve ruse të përfshira në regjimin e sanksioneve të BE-së do të rritet me rreth një të tretën. Ajo theksoi gjithashtu ndikimin ekonomik që, sipas saj, kanë pasur masat e vendosura nga Brukseli ndaj Moskës që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022. Kallas tha më tej se sanksionet evropiane i kanë kushtuar shtrenjtë Rusisë dhe i kanë privuar makinën e saj të luftës me më shumë se një trilion euro.
“Këtë vjeshtë, unë po propozoj listën më ambicioze të sanksioneve që nga fillimi i luftës. Pasi të miratohen, këto masa do ta rrisin menjëherë numrin e përgjithshëm të subjekteve ruse që i nënshtrohen sanksioneve me një të tretën. Që kur forcat e armatosura ruse pushtuan territorin ukrainas në shkurt 2022, sanksionet e BE-së i kanë kushtuar shtrenjtë Rusisë, duke i privuar makinës së saj të luftës mbi një trilion euro”, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas.