Flash

Kushner takohet me liderin e Hamasit, diskutohet plani i paqes për Gazën

Lapsi.al 17 August 2026

I dërguari i Presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Jared Kushner, ka zhvilluar bisedime të rralla me drejtuesit e Hamasit për zbatimin e planit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për paqen në Gaza.

Një zyrtar palestinez i tha BBC-së se Kushner, u takua të dielën në Egjipt me një delegacion të udhëhequr nga lideri i ri i Hamasit, Khalil al-Hayya. 

Takimi konsiderohet i rëndësishëm pasi është kontakti i parë i këtij niveli që prej arritjes së marrëveshjes së armëpushimit për Rripin e Gazës vitin e kaluar.

Sipas raportimeve, në bisedime morën pjesë edhe të dërguarit e Bordit të Paqes, Nickolay Mladenov dhe ish-kryeministri britanik Tony Blair, si dhe përfaqësues të Egjiptit, Katarit dhe Turqisë, vende që kanë ndërmjetësuar në përpjekjet për paqe.

Nuk është publikuar ende një deklaratë zyrtare mbi rezultatet e takimit. Bisedimet raportohet se janë përqendruar te hapat konkretë për çarmatimin e Hamasit, tërheqja e trupave izraelite dhe përpjekjet humanitare në Gaza.

Muajin e kaluar, Bordi i Paqes i drejtuar nga Trump njoftoi se ishte arritur marrëveshje për “çarmatimin e plotë” të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza. Megjithatë, javën e kaluar Izraeli kundërshtoi planin 15-pikësh të Trump, i cili parashikon gjithashtu tërheqjen e trupave izraelite dhe rindërtimin e Gazës nën një administratë të re civile palestineze.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli kërkon çarmatimin e plotë të Hamasit përpara zbatimit të marrëveshjes dhe se ushtria izraelite nuk do të tërhiqet deri në përmbushjen e këtij kushti.

Ndërkohë, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Arabia Saudite, Jordania, Turqia, Pakistani dhe Indonezia dënuan të dielën kundërshtimin e planit amerikan nga Izraeli, duke paralajmëruar se kjo rrezikon përpjekjet e Trump për paqe.

Gjatë qëndrimit në Egjipt, Kushner zhvilloi gjithashtu një takim me Presidentin egjiptian Abdel Fattah al-Sisi. Sipas mediave izraelite, Kushner, Mladenov dhe Blair pritet të takohen të hënën me Netanyahun për të çuar përpara planin amerikan për Gazën.

Të këshilluara

ide

Dhunë? Po, të lutem! Por, kundër kujt?

Dëmi që i është bërë Shqipërisë përgjatë qeverisjes së regjimit të Ramës, është radikalisht i pakrahasueshëm me dëmin minimal të shkaktuar përgjatë këtyre ditëve."

20:08 Agon Hamza

MOTI TIRANA

5°c

KËMBIMI EURO

91.32

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Me sytë katër

PAPARAZZI