
Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale e Kosovës bënë të ditur se është arrestuar në Zveçan një person i dyshuar për sulmin ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në maj të vitit 2023.
Në një komunikatë të përbashkët thuhet se ndaj të dyshuarit, Igor Markoviq rëndojnë dyshimet për veprat: sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm, bashkim për veprimtari kundërkushtetuese dhe rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare.
Dyshohet se ai ka qenë polic serb dhe se ka hyrë nga Serbia në Kosovë nga pjesa veriore.

Dhuna në Zveçan shpërtheu kur serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të majit 2023 që ishin bojkotuar nga serbët.
Kosova ka fajësuar Serbinë për ato ngjarje duke thënë se ato u kryen nga “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq”. Gjatë përleshjeve u lënduan 93 pjesëtarë të KFOR-it, disa prej të cilëve kishin lëndime të rënda. ©LAPSI.al