
Disa shifra, vetëm për të dhënë një ide: 4 Champions League, 4 trofe mes Kupave të Botës për Klube dhe Kupave Interkontinentale, 4 Superkupa të UEFA-s, 10 kampionate gjermane, 6 Kupa të Gjermanisë, 6 Superkupa të Gjermanisë, 2 kampionate spanjolle, 2 Superkupa të Spanjës, 1 Kupë të Spanjës. Diçka ka fituar në karrierën e tij David Alaba, gjithmonë si protagonist (me përjashtim të disa dëmtimeve të fundit), gjithmonë me cilësitë e tij si lider.
Pikërisht ajo që i duhet Udineses për të sistemuar mbrojtjen, e cila pëson shumë gola dhe që ka humbur shumë me dëmtimin e Solet, i cili sezonin e kaluar kishte qenë thelbësor për rrugëtimin e shkëlqyer të skuadrës friulane. Deri këtu është ajo që pak a shumë e dinë të gjithë, edhe pse këto shifra të lexuara njëra pas tjetrës bëjnë vërtet përshtypje. Pastaj janë disa detaje që jo të gjithë i dinë.
Babai pric e motra pop-star
Për shembull, babai i David është një princ trashëgimtar nigerian, nga Akure. Ai u zhvendos në Vjenë për të studiuar ekonomi dhe mori një rrugë krejtësisht tjetër, duke u bërë një DJ dhe reper i njohur. Pikërisht Vjena është qyteti ku lindi Alaba, më 24 qershor 1992. Ai ka një nënë filipinase, e cila në rininë e saj kishte fituar një konkurs bukurie në vendin e origjinës.
Edhe sa i përket muzikës, motra e Alaba quhet Rosa May dhe është një këngëtare me njëfarë fame. Muzika e saj është pop dhe afrobeat, ajo është dy vjet më e vogël se vëllai dhe në vitin 2016 pati një sukses të konsiderueshëm me këngën e saj “Love Me Right”, e cila qëndroi në krye të klasifikimeve austriake për disa javë. Ajo ka përfaqësuar Austrinë në “Europa Music Contest”.
Pasioni për modën
Nëse babai dhe motra janë muzikantë, David është një pasionant i madh i modës. Shpesh i përdor ditët e lira për të bërë vizita të shpejta në sfilatat e javëve të ndryshme të modës në Europë. Kjo është gjithashtu një prej temave të tij të preferuara të bisedës, në të cilën ka përfshirë shumë prej shokëve të skuadrës, si te Bayern Munich, ashtu edhe te Real Madrid. Nëse nuk ka ndonjë Fashion Week pranë, merret me pikturë, kështu që edhe ai, ashtu si pjesa tjetër e familjes, e ka artin si një prirje. Në vitin 2006, kur ishte ende një djalosh, bëri një provë te Reggina, e cila ishte pranë një goditjeje të bujshme, por më pas nuk u gjet marrëveshja. Kur luante te Austria Vienna, u ndoq për një kohë të gjatë nga Interi, por më pas kundërofensiva e Bayern Munich i dha fund të gjitha ambicieve të zikaltërve.
Pse te Udinese?
Tani duket sikur jemi kthyer 43 vite pas, kur në Udine mbërriti një futbollist po aq i famshëm dhe po aq i jashtëzakonshëm, braziliani Zico. Në atë kohë, klubi friulan shpenzoi një pasuri dhe mposhti konkurrencën e shumë klubeve të mëdha europiane, ndërsa këtë herë bëhet fjalë për një transferim me kosto zero. Real Madrid nuk ia rinovoi kontratën, në kuadër të revolucionit të Mourinhos. Sigurisht që do të jetë i lumtur Runjaic, i cili ka një skuadër me atletë të mëdhenj, së cilës tani i shton klasën dhe eksperiencën e një prej qendërmbrojtësve më të trofeshëm në Europë.