
Andrea Pirlo është bërë një nga kandidatët më seriozë për stolin e Kombëtares italiane. Ajo që deri pak ditë më parë dukej vetëm një hipotezë, ka fituar shpejt terren në arsyetimet e Paolo Maldinit dhe Leonardos, të ngarkuar për të gjetur trajnerin e ri të Italisë dhe për të ndërtuar një projekt të ri teknik me synimin drejt Botërorit 2030.
Ëndrra e madhe e sektorit të ri teknik të FIGC mbetet Pep Guardiola, por operacioni paraqet pengesa të dukshme: nga gatishmëria e trajnerit katalanas te diferencat ekonomike, deri te vullneti i tij për të pranuar ritmet dhe karakteristikat e punës në një kombëtare. Pikërisht për këtë arsye, Pirlo nuk konsiderohet thjesht një zgjidhje rezervë, por alternativa e vërtetë në aspektin e projektit ndaj Guardiolës. Edhe pse, pak më të tërhequr, në garë mbeten ende Antonio Conte dhe Roberto Mancini.
Ajo që duket se ka bindur më shumë Maldinin dhe Leonardon është vizioni futbollistik i ish-shokut të tyre të skuadrës te Milani, kërkimi i një loje të bazuar te mbajtja e topit dhe ndërtimi i aksioneve nga prapavija, si edhe mundësia për të punuar me një trajner të gatshëm për të ndarë një linjë të përbashkët për të gjithë sistemin e kombëtareve. 47-vjeçari nga Brescia njeh gjithashtu në mënyrë të përsosur ambientin e “Axurrëve” dhe ka qenë një nga protagonistët e Botërorit të fituar nga Italia në vitin 2006.
Vlerësimi ndaj tij nuk lind sot: Maldini kishte menduar më parë për të si trajner të Milanit, ndërsa Leonardo kishte tentuar ta çonte te Paris Saint-Germain në vitet e fundit të karrierës së tij si futbollist. Tani emri i tij thuhet se ka kaluar “në rreshtin e parë” në garën për postin e trajnerit të kombëtares.
Andrea Pirlo, karriera si trajner
Karriera e Pirlos në stol nisi në vitin 2020 drejtpërdrejt te Juventusi, pa pasur më parë përvojë si trajner i parë. Në sezonin e tij të vetëm fitoi Kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë, duke arritur vendin e katërt në Serie A, por u shkarkua në fund të kampionatit.
Më pas erdhën eksperiencat me Fatih Karagumruk në Turqi dhe me Sampdorian në Serie B. Në Xhenova ai e çoi skuadrën në play-off në sezonin 2023-2024, përpara se të shkarkohej pas fillimit të vështirë të sezonit pasardhës. Në vitin 2025 zgjodhi United FC të Dubait, në divizionin e dytë të Emirateve të Bashkuara Arabe, për t’i dhënë një shtysë të re karrierës së tij.
Një CV që nuk mund të krahasohet, as nga larg, me ato të Guardiolës, Antonio Contes apo Roberto Mancinit, por që Maldini dhe Leonardo po e vlerësojnë mbi të gjitha në funksion të ideve, potencialit dhe përputhshmërisë me projektin e ri federativ. Pikërisht ata do të përfundojnë në ditët e ardhshme një përzgjedhje të parë, duke verifikuar realizueshmërinë konkrete të kandidatëve të ndryshëm dhe duke mbërritur në një listë më të ngushtë deri në fundjavë.
Profili i përzgjedhur më pas do t’i paraqitet Giovanni Malagòs, të cilit do t’i takojë miratimi përfundimtar i emërimit, edhe nga pikëpamja institucionale dhe ekonomike. Presidenti i ri i FIGC ka bërë të qartë se nuk dëshiron të veprojë i vetëm: zgjedhja do të vijë pas konsultimit me Maldinin dhe Leonardon, por fjala e fundit do të mbetet në duart e tij. Pikërisht brenda këtij procesi duket se hierarkitë kanë ndryshuar. Conte dhe Mancini mbeten ende në garë, ashtu si edhe Stefano Pioli, por Andrea Pirlo tani duket kandidati që më shumë se kushdo tjetër pasqyron vizionin e sektorit të ri teknik, nëse ëndrra Guardiola do të rezultojë e parealizueshme.

