
Varrimi i mësuesit Halit Geci i vrarë nga forcat serbe në Llaushë ishte pika e kthesës për rezistencën e shqiptarëve të Kosovës ku për herë të parë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës doli publikisht para popullit.
Në kujtim të kësaj dite të rëndësishme, Kuvendi i Kosovës nderoi ata që dhanë gjithçka për lirinë.Kryetarja e Parlamentit, Albulena Haxhiu tha se në varrimin e mësuesit lindi besimi se liria mund të fitohej.
“Aty pra para tyre dolën Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi, Daut Haradinaj me uniformën e UÇK-së. Ishte hera e parë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila deri atëherë vepronte në ilegalitet, doli hapur para qytetarëve, para popullit. Kështu nga varrimi i një mësuesi lindi besimi se liria mund të fitohej”, tha Albulena Haxhiu-kryetare e Kuvendit të Kosovës.
Për të gjashtin vit me radhë, Kosova nderon luftëtarët e lirisë, pa ata që janë gjallë.Për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dënuar nga Gjykata Speciale, kryetarja e Kuvendit tha se nuk do të ndalet angazhimi derisa drejtësia të vihet në vend.
“Teksa kujtojmë këto ngjarje, jemi pranë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës luftëtarëve të lirisë, të cilët edhe këtë nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë. Vendi i tyre është në Kosovë dhe ne vazhdojmë angazhimin tonë që drejtësia të vihet në vend dhe ata të lirohen sa më parë”.
Kosova shënon ditët e nëntorit, ku më datë 27 është dita e Forcës së Sigurisë së Kosovës e më 28 nëntor Dita e Flamurit.Kuvendi i Kosovës ndërkohë të enjten ka vazhduar me pikat e papërfunduara të rendit të ditës. Deputetët nuk i dhanë dritën e gjelbër rezolutës për mungesën e barnave e as asaj për energjinë elektrike.