Flash

Sulmet ndaj anijeve rrezikojnë furnizimin global me naftë

Lapsi.al 2 March 2026
Sulmet ndaj anijeve rrezikojnë furnizimin global me naftë

Pamjet e filmuara me telefon, që tregojnë flakë të mëdha dhe tym të dendur të zi që ngrihet nga një anije në Ngushticën e Hormuzit, rrisin shqetësimet se konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit mund të ndërpresë furnizimin global me naftë. Kjo ngushticë është një rrugë jetike tregtare për transportin global të naftës dhe gazit të lëngshëm natyror.

Anija “Skylight” - një cisternë nafte dhe kimikatesh me peshë prej 7.600 tonësh - ndodhej në veri të portit Khasab në Oman, pranë pikës më të ngushtë të Ngushticës së Hormuzit, ku korridori i lundrimit është vetëm 3 kilometra i gjerë.

Ajo ishte një nga tri anijet civile që raportohet se u qëlluan më 1 mars, ndërkohë që edhe Komanda Qendrore e SHBA-së tha se goditi një anije luftarake të marinës iraniane aty pranë.

Mes kësaj situate të tensionuar, një analizë e agjencisë së lajmeve, Reuters, bazuar në të dhënat e ueb-faqes MarineTraffic, tregon se të paktën 150 anije - përfshirë shumë cisterna nafte dhe gazi - kanë ndalur lundrimin.

Po ashtu, kishte raporte kundërthënëse për mbylljen ose jo të Ngushticës së Hormuzit nga Irani.

“Ngushtica është ende e hapur. Por, arsyeja pse anijet nuk po kalojnë dhe pse shumë kompani ndërkombëtare të naftës po këshillojnë të mos përdoret [Ngushtica], është siguria”, tha Amena Bakr, drejtuese e kërkimeve për Lindjen e Mesme dhe OPEC+ në kompaninë e inteligjencës tregtare Kpler.

Ajo shtoi se kostot e sigurimit janë aq të larta, saqë shumë anije nuk mund t’i përballojnë ose nuk duan të rrezikojnë të kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.

Sipas saj, paniku i vërtetë në treg do të fillojë vetëm nëse konfirmohet se Ngushtica është mbyllur dhe nafta nuk qarkullon më.

Për momentin, kjo nuk ka ndodhur. Megjithatë, çmimi i naftës Brent, që është standard global, është rritur deri në 10 për qind më 1 mars dhe analistët presin rritje të mëtejshme.

Ajay Parmar, drejtore për energjinë në Institutin ICIS, tha për agjencinë Reuters se çmimi mund të arrijë afër 100 dollarë për fuçi, ose edhe më shumë, nëse bllokimi i Ngushticës zgjat.

Ajo tha se kjo luftë mund të ketë ndikim më të madh në çmimet globale të naftës, sesa konflikti 12-ditor me Iranin në qershor të vitit 2025.

Gjatë atij konflikti, sipas saj, çmimet u rritën në 80 dollarë dhe më pas ranë, sepse situata ishte më e parashikueshme.

Duke folur nga Dubai, për të cilin Bakr tha se ishte në një gjendje tmerri nga sulmet “e pashembullta” iraniane, ajo shtoi:

“Jemi në një situatë krejt tjetër. Pres që çmimet e naftës të jenë midis 85 dhe 90 dollarëve”.

Çmimet e larta të naftës mund të shkaktojnë tronditje më të gjera ekonomike, duke nxitur inflacion dhe presione të forta politike në shumë vende.

Në fakt, ka shumë mënyra se si konflikti me Iranin mund të shkaktojë rritje të çmimeve.

Nafta e Iranit është nën sanksione të ashpra, por ky vend i shet ende shumë naftë Kinës, për shembull. Nëse këto furnizime ndërpriten, për shkak të një lufte të zgjatur, Kina duhet t’i kërkojë ato diku tjetër.

Ndërkohë, sulmet iraniane me dronë e raketa raportohet se kanë detyruar edhe shumë fusha të naftës në Irak të ndalin prodhimin, si masë paraprake.

Nëse Ngushtica e Hormuzit mbyllet, eksportet e naftës nga Kuvajti dhe shtetet e tjera në Gjirin Persik ndikohen gjithashtu.

Rrugë alternative eksporti ekzistojnë, duke përdorur tubacione nëpër shkretëtirën e Arabisë Saudite, por kapaciteti i tyre është i kufizuar.

Vendet prodhuese të naftës OPEC+ u takuan më 1 mars, për të rënë dakord për të rritur prodhimin në 206.000 fuçi në ditë, për të kompensuar rreziqet e mundshme nga rritja e çmimeve.

Grupi përbëhet nga tetë vende: Arabia Saudite, Rusia, Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kuvajti, Kazakistani, Algjeria dhe Omani.

“Vendet do të vazhdojnë të monitorojnë dhe vlerësojnë nga afër kushtet e tregut. Ne riafirmuan rëndësinë e miratimit të një qasjeje të kujdesshme”, thanë përfaqësuesit e tyre përmes një deklarate.

Aty nuk u përmend konflikti me Iranin. Por, një deklaratë e veçantë nga Ministria e Jashtme e Rusisë e përmendi atë, duke paralajmëruar se ndalesa e transportit detar në Ngushticën e Hormuzit “mund të krijojë një çekuilibër të konsiderueshëm në tregjet globale të naftës dhe gazit”.

Por, në të vërtetë, është një çekuilibër nga i cili Rusia mund të përfitojë.

Çmimet e ulëta globale të naftës dhe sanksionet e rënda mbi naftën ruse - përfshirë një kufizim çmimesh i vendosur nga grupi i vendeve më të industrializuara, G7 - e kanë goditur rëndë Rusinë.

Një raport nga Qendra për Kërkime mbi Energjinë dhe Ajrin e Pastër (CREA), në shkurt, nxori në pah se të ardhurat e Rusisë nga eksportet e naftës bruto, kanë rënë për 18 për qind gjatë vitit të kaluar.

Një nga blerësit kryesorë të Rusisë është Kina. Zvogëlimi i furnizimeve globale me naftë mund të nënkuptojë rritje të porosive nga Kina, për të kompensuar mungesën nga Irani ose furnizues të tjerë të Gjirit Persik./REL

Të këshilluara

Këmbimi valutor, 2 mars 2026 

Në tregun e këmbimit valutor shqiptar, euro këmbehet me 96 lekë në blerje dhe 96.6 lekë në shitje. Dollari amerikan blihet me 81.5 lekë dhe shitet me 82.5 lekë....

09:48

Parashikimi i motit: Java nis me diell

Kjo e hënë do të jetë me kushte atmosferike të qëndrueshme. Dielli do të jetë mbizotërues gjatë gjithë ditës. Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territo...

07:54

Përfshihen nga flakët dy mjete në Vlorë

Dy automjete janë përfshirë nga flakët në orët e para të mëngjesit në zonën e Skelës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 pas mesnatës, kur banorët e lagjes kan...

07:29

ide

Pse Rama nuk tërhiqet dot nga Zvërneci

Ndonëse kryeministri e la të hapur fatin e investimit të cilin e etiketoi si testin e parë të platformës Besa, ai nuk është i lirë ta bëjë këtë. Edi Rama e di shumë mirë, se nëse i thotë jo Kushnerit të cilin e yshti të hidhte në Zvërnec paratë e katarianëve, pasoja do të jetë shumë më e madhe se indiferanca përbuzëse që Trump demostroi ndaj atleteve të tij të bardha në samitin e NATO-s.

12:29 Andi Bushati

Një monument i shëmtuar i autoritarizmit politik

Në vend që të kujdesen për godint që kërcënojnë qytetarët estetikisht dhe fizikisht, Kryeministri dhe Bashkia e tij në Durrës rendin të hedhin miliona euro për të ndërtuar mure betoni që fshehin detin dhe shëmtojnë qytetin

10:47 Blendi Kajsiu

MOTI TIRANA

32°c

KËMBIMI EURO

92.76

aktuale

Ndiqe Lapsin edhe në

Me interes nga publiku

Pse Rama nuk tërhiqet dot nga Zvërneci

Ndonëse kryeministri e la të hapur fatin e investimit të cilin e etiketoi si testin e parë të platformës Besa, ai nuk është i lirë ta bëjë këtë. Edi Rama e di shumë mirë, se nëse i thotë jo Kushnerit të cilin e yshti të hidhte në Zvërnec paratë e katarianëve, pasoja do të jetë shumë më e madhe se indiferanca përbuzëse që Trump demostroi ndaj atleteve të tij të bardha në samitin e NATO-s.

12:29 Andi Bushati

Analiza/ Si Trump po gjallëron pa dashje demokracinë në Shqipëri

Pas një viti, kur analistët vajtonin shkallën në të cilën Donald Trump i kishte inkurajuar autokratët e botës, situata politike mund të ketë filluar të ndryshojë. Jo vetëm që Trump është thellësisht jopopullor në nivel global, por çdo qeveri që futet në shtrat me të, po ofron prova të korrupsionit të vet.

23:57 Jan-Werner Muelle

Me sytë katër

PAPARAZZI