Kur 15-vjeçari francez Pedro Elia Garzon Delvaux u nis një mëngjes të diele muajin e kaluar për të vizituar Luvrin me nënën dhe gjyshin e tij, ai mendoi se do të kalonte një ditë të mrekullueshme duke admiruar muzeun. Ajo që ai sigurisht nuk e priste ishte t'i gjente dyert e muzeut të mbyllura për shkak të një grabitjeje, dhe për më tepër fotografia e tij jashtë Luvrit do ta bënte të njohur në të gjithë botën si "burri misterioz me kapelë fedora".
Në foton e bërë nga një fotograf i Associated Press në "vendin e ngjarjes", tre oficerë policie shihen të mbështetur në një makinë që bllokon hyrjen në Luvër, pak orë pas grabitjes spektakolare të xhevahireve mbretërore franceze. Në të djathtë të imazhit qëndron një i ri i vetmuar me kostum, një imazh si nga filmat noir i përzierë me një sharm modern.
Kur adoleshenti e kuptoi se fotografia e tij kishte marrë miliona shikime në rrjetet sociale, mendimi i tij i parë ishte të mos dilte publikisht dhe të thoshte se ishte ai. Në vend të kësaj, si një fans i historive të Sherlock Holmes dhe Hercule Poirot , ai vendosi ta linte audiencën globale të shijonte misterin.
Në internet filluan të qarkullonin teori të ndryshme rreth identitetit të të riut misterioz. Disa e konsideronin një detektiv, të tjerë një bashkëpunëtor të grabitësve apo edhe një krijim dixhital të inteligjencës artificiale. Vetë Pedro zgjodhi të mbante një profil të ulët. "Nuk doja të thoja menjëherë se isha unë. Kishte një mister në lidhje me atë foto, të cilin duhej ta mbaja" – rrëfeu ai.
Në një intervistë me AP nga shtëpia e tij në Rambouillet, 30 kilometra jashtë Parisit, ai u shfaq i veshur tamam siç ishte atë të diel. Ai mbante veshur kapelen e tij karakteristike fedora, një jelek Yves Saint Laurent të huazuar nga i ati, një xhaketë të zgjedhur nga nëna e tij, një kravatë të rregullt, pantallona Tommy Hilfiger dhe një orë të vjetër ruse nga epoka e luftës.
Kapelja Fedora, e anuar pak ai tha se ishte një homazh për heroin e Rezistencës Franceze, Jean Moulin.
Nga afër, Pedro duket një djalë i zgjuar dhe i qeshur që u gjet rastësisht në muzeun e Luvrit ditën kur disa hajdutë ambiciozë vendosën ta vizitonin atë. "Burri me kapelë Fedora", siç u quajt në internet (meqenëse stili i veçantë i të riut e bën të duket më i vjetër se 15 vjeç), u shndërrua në një hero misterioz të hapësirës kibernetike që mund të luante në një serial historik në Netflix.
Vetë Pedro e kupton pse imazhi i tij ngriti pikëpyetje. "Në foto jam veshur në stilin e viteve 1940 edhe pse jetojmë në vitin 2025. Ka vërtet një kontrast", i tha ai gazetarit të AP.
"Kur u bë fotografia, nuk e pashë" - tha Pedro. "Thjesht po kaloja. Katër ditë më vonë, një i njohur i dërgoi një mesazh: "Je ti?" "Më tha që fotografia ishte parë 5 milionë herë. U habita pak" – tha ai.
Pak më vonë, nëna e tij e telefonoi për t'i thënë se fotografia e tij ishte botuar në New York Times .
"Nuk ndodh çdo ditë" - tha ai. Kushërinjtë në Kolumbi, miqtë në Austri, të njohurit e familjes dhe shokët e klasës filluan t'i dërgonin pamje të ekranit dhe mesazhe. "Ata më thanë se isha bërë yll. U impresionova nga fakti që vetëm me një foto mund të bëhesh viral brenda pak ditësh," shpjegoi Pedro.
Pedro thotë se filloi të vishej kështu rreth një vit më parë, i frymëzuar nga historia e shekullit të 20-të dhe imazhet bardh e zi të politikanëve të veshur mirë dhe detektivëve.
"Më pëlqen të jem elegant," tha ai në intervistën e tij. "Unë shkoj edhe në shkollë kështu." Sa i përket kapelës, ajo ka ritualin e vet. Kapelja fedora është e rezervuar vetëm për fundjava, festa dhe vizita në muze. ©LAPSI.al