"45 minutat e para të Kupës ishin për tu harruar, ndryshoi përqendrimi. Ishte ndeshje tjetër, histori tjetër, kam skuadër me çuna me karakter që reflektojnë. Ndoshta ku pëson humbje koha është e pamjaftueshme por e jemi mobilizuar, duke marrë mësime nga ndeshja e Kupës". Orges Shehi dhe Tirana e tij ngrihen në këmbë vetëm tre ditë pas humbjes së parë sezonale, duke i kthyer reston Dinamos në kampionat. Pokeri me të cilin bardheblutë fundosën "nëndetësen" tregoi edhe njëherë forcën e tyre, duke patur mbi supe edhe mungesat e Tolit e Ngo'o: "Kam thënë që janë shumë të rëndësohem, por nuk varemi nga individë të veçantë. Këtë na e vërtetoi ndeshja me Teutën që kishim 5 mungesa nga Covidi, skuadra sot arriti të mos i ndjente dëmtimet, dhe lojtarët nga stoli ndryshuan lojë. Të gjithë ndjehen të barabartë dhe njësoj si të tjerët".

Tirana mund të quhet dominuesja e qytetit, duke qenë se ka fituar të dy ndeshjet derbi në kampionat kundër Partizanit e Dinamos, dy fitoret e para në ndërqytetase për teknikun, që në këtë rast bën një zgjedhje cinike, duke shigjetuar ish-skuadrën e tij, në kohën kur luante ende vetë në fushë: "Fitorja me Partizanin na shijoi më shumë për shkak të traditës, për arsye personale dhe për arsye të tifozëve. Unë mendoj që janë dy lojtarët e ndeshjes, Seferi dhe Xhixha. Ky i fundit shënoi dy gola’’, përfundoi Shehi.