Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka deklaruar se në sektorin e bujqësisë do të akordohen 100 milion euro çdo vit, kur partia e tij të vijë në pushtet.
Ai pohoi gjithashtu se do të hiqet taksa që kryeministri ka vendosur për karburantin
“Ne kemi propozuar që përgjatë këtij viti, për ato familje që kanë humbur punën, të bëheshin pagesa mujore 160 mijë euro. Plani ynë për bujqësinë, nuk do të bëjmë mrekullira, por do të bëjmë atë që bën Kosova dhe Maqedonia e Veriut, vit për vit do të kemi 100 milion euro për bujqësinë, apo dhe 50 mln euro për infrastrukturën bujqësore. Që asgjë mos të hidhet në kanal dhe asgjë mos të shkojë kot. Që produkti jo vetëm mos të hidhet, por të konkurrojë denjësisht. Me këtë plan do të shërojmë dhe një plagë që është largimi i të rinjve nga Shqipëria. S’ka familje në Lushnjë, në Fier, që nuk largohen nga vendi, për një jetë më të mirë. Ata që duhet t’i mbajnë në punë s’kanë më të ardhura dhe i heqin. Një tjetër masë që do të hiqet, është taksa ‘Rama’ mbi karburantin. Rama e rriti me 20 lekë për litër karburantin, pavarësisht protestës së opozitës.”, -tha Basha.