Kreu i PD-së Lulzim Basha thotë se ndryshimi i sistemit nuk do të eliminojë fenomenet negative të zgjedhjeve shqiptare.
“Problemi nuk është sistemi. Çdo sistem bie prè dhe ka treguar që ka rënë prè e sëmundjeve të demokracisë shqiptare, të cilat, nën këtë qeverisje kanë arritur nivele që e kanë sjellë demokracinë në koma, që është blerja e votës, është bashkëpunimi me krimin, është kërcënimi i votuesve, është cenimi i sekretit të votës, të gjitha këto që ka parashtruar OSBE OHDIR-i.
Tani çfarë është kjo përpjekja për të diskutuar lista të hapura, koalicione? Është ajo që në anglisht quhet “shifting the discussion”, “të ndryshojmë temën e diskutimit”, të mos flasim për atë që na dhemb, për atë që foli Parlamenti Europian para një jave që tha çfarë po bëhet me dosjet hetimore të Dibrës dhe të Shijakut të 216-ës dhe të zgjedhjeve të 2017-ës.
Të mos flasim për presionin që u bëhet votuesve, të mos flasim për shit-blerjen e votës, por të flasim për diçka komplet tjetër. Pra është thjesht dhe vetëm një truk propagandistik. Natyrisht, Edi Rama do të bëjë gjithçka për pushtetin e tij” – tha Basha në emisionin “Zonë e Lirë”.
Basha u pyet edhe për rolin e opozitës në parlament.
“Dua të them diçka që më duket mua e bukur. Kur Italia fashiste pushtoi Shqipërinë, u kujdes që të paktën nga ana formale, gjërat të ishin në rregull dhe mblodhi një grup kolaboracionistësh që i çuan kurorën e Skënderbeut, kurorën e mbretërisë shqiptare Viktor Emanuelit, i cili pastaj u deklarua mbret i Italisë, mbret i Shqipërisë dhe perandor i Abisinisë – tha Basha që akuzoi Ramën edhe për shitblerje deputetësh.
“Këtu kemi të njëjtin koktej surrogatësh, njerëz të cilët kanë nënshkruar lënien e mandateve, por pas kësaj kanë ndodhur magjira të mëdha. Dikujt i janë falur borxhe kazinosh, dikush ka marrë leje ndërtimi, dikush ka marrë lekë të thatë në dorë, dikujt i janë premtuar favore, nxjerrje vëllait nga burgu apo mosfutje të vëllait në burg dhe gjëra të tilla.
Dhe këta përbëjnë një masë të madhe, se nuk po them të gjithë. Këta janë ata që ju i thoni opozita parlamentare. Dhe këta tani që duhet të ishin më të interesuarit për koalicione, sepse ata s’kanë parti fare - edhe po të bëjnë parti, do të jetë parti shumë e re, - interesi i tyre duhet të ishte koalicioni, këta na dalin dhe na thonë “duhet të kemi prag 5% dhe s'duhet të kemi koalicione”.
Këta s'janë asgjë. Është Edi Rama, i cili nuk guxon, si gjithmonë hedh gurin dhe fsheh dorën dhe e ben këtë për një arsye të vetme se është i tmerruar nga zgjedhjet e ardhshme” – tha Basha. ©LAPSI.al