Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas arrestimit të Redjan Rrajës, kushëririt të deputeti socialist, Rrahman Rraja, në cilësinë e një prej autorëve të dyshuar për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja.
Në një postim në llogarinë e tij zyrtare në "Facebook", Rama shkruan se e përshendet zbardhjen e ngjarjes kriminale, duke theksuar implikimin e Ndojës, të akuzuar më parë prej tij dhe zv.kryeministrit Erion Braçe, për lidhje me krimin e organizuar.
Duke iu referuar ngjarjes, shefi i qeverisë përforcon deklaratën e tij të mëhershme ku kërkoi shpalljen në kërkim me ligj nga Parlamenti të një grupi prokurorësh dhe gjyqtarësh, që sipas tij janë pjesë e një grupi “Kap ça të kapësh (KÇK)”. "Do t’i nxjerrim 'ujë të zi' foleve të krimit të organizuar dhe do të reagojmë frontalisht ndaj gjykatësve e prokurorëve të inkriminuar, që duan 'të kapin ç’të kapin', deri ditën kur kanë radhën e spastrimit nga Vetingu,"- shkruan ndër të tjera Rama.
Ndërkohë, në reagimin e tij, Rama nuk e ka komentuar faktin që i dyshuari kryesor i atentati është i afërm i deputetit socialist, Rrahman Rraja, i përmeduar edhe më parë në lidhje me çështjen "Xhisiela", ku ishte i implikuar i biri, Rexhep Rraja, si edhe kushëriri i tij që u ndalua sot.
Postimi i Ramës:
Përshëndes me respekt punën e shkëlqyer të Policisë së Shtetit për zbardhjen e ngjarjes kriminale, ku u implikua edhe prokurori i Durrësit?Brenda muajit Ligji Special kundër personave të dënuar, akuzuar a hetuar brenda/jashtë vendit për krim të organizuar apo krime të rënda dhe masat speciale kundër KÇK-së? Do t’i nxjerrim “ujë të zi” foleve të krimit të organizuar dhe do të reagojmë frontalisht ndaj gjykatësve e prokurorëve të inkriminuar, që duan “të kapin ç’të kapin”, deri ditën kur kanë radhën e spastrimit nga Vetingu #DerinëFund #ZeroTolerancë