Prokurori i Krimeve të Rënda, Besnik Muçi është betuar sot para Presidentit të Republikës, Ilir Meta si anëtari i parë i Gjykatës Kushtetuese. Ceremonia u zhvillua në Presidencë, në prani të ambasadorëve si dhe përfaqësuese të vendeve të Bashkimit Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, Muçi u betua duke u zotuar se: “gjatë kryerjes së detyrave të tij do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë!”. Por edhe pse Muçi është betuar si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ai bazuar në Kushtetutë nuk mundet ta realizojë këtë detyrë, pasi nuk ka kaluar ende procesin e rivlerësimit në të trija shkallët e Vettingut.
Gjyqtari Besnik Muci vazhdon betejën e Vettingut në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Në seancën e fundit, trupa e KPA-së, bazuar në informacionin e dhënë nga Komisioneri Publik kërkoi deklasifikimin e një dokumenti të klasifikuar si sekret shtetëror, ku thuhej se subjekti i rivlerësimit ka lidhje me dy persona të proceduar penalisht, tek të cilët ka blerë një apartament dhe një makinë. Sipas Komisionerit Publik, gjyqtari Muçi i ka një borxh në vlerën prej 21 mijë euro njërit prej personave të proceduar penalisht.


